English

Idrizi: Greqia nuk mund t'u krijojë probleme gjithë popujve në rajon

Tiranë, 19 korrik, NOA – Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU) në Shqipëri, Shpëtim Idrizi ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se Greqia nuk mund t'i krijojë probleme të gjithë popujve në rajon, në emër të gjoja një tutorati mbi Ballkanin e paintegruar.

Kreu i kësaj partie, e cila po alarmon çështjen çame në agjendën e politikës shqiptare dhe ndërkombëtare si dhe çështjet tjera shqiptare në rajon ka nënvizuar se një perspektive pozitive është hapur me rastin e ardhjes në pushtet të një force politike në Greqi, që përgjithësisht është e prirur për marrëdhënie të mira me shqiptarët.

Lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë si dhe pozitën e shqiptarëve në vendin fqinj, kryetari i PDU-së ka theksuar se për mbijetesën e Maqedonisë janë të interesuar ato faktorë ndërkombëtarë që janë dhe miqtë tanë të përbashkët.

“Sigurisht Maqedonia, pjesa sllave e saj, më saktë klasa politike gabon, duke e ekzagjeruar me projektet e veta për të theksuar karakterin sllav të këtyre tokave. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se mbijetesa politike e këtij vendi është e lidhur me një aleancë historike me shqiptarët”, ka theksuar deputeti Shpëtim Idrizi në intervistën për agjencinë e lajmeve INA.

Sipas tij, PDU si pjesë e një grupimi parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë nuk angazhohet vetëm për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe për përparimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, pranimin e Kosovës si shtet sovran, i pandarë në familjen e shteteve, çështjet e pazgjidhura në trevat tjera shqiptare si dhe për një status dinjitoz për diasporën e vjetër dhe të re shqiptare.

NOA-INA

KOMENTE