English

Kosova Përfaqësohet Nga Ansambli I Mitrovicës Në Një Festival Në Turqi

PRISHTINË, 19 Korrik/ATSH-B.Jashari/.- Ansambli i këngëve dhe valleve të Mitrovicës po përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të artit dhe të kulturës në qytetin Inegol, Turqi, i cili po zhvillohet nga 16 deri në 22 korrik. Pjesëmarrës janë edhe ansamble nga Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Hungaria, Bosnja e Hercegovina, Ukraina, Gjorgjia etj, bashkë me të cilët përfaqësuesit e Kosovës kanë parakaluar nëpër rrugët e qytetit me flamuj shtetëror dhe me veshje kombëtare, duke lënë një përshtypje të jashtëzakonshme para publikut. Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, në qytetin e Inegolit, i cili ka rreth 160 mijë banorë, jetojnë edhe shumë shqiptarë të cilët janë shumë të organizuar. Ata në organizim të komunës janë duke u kujdesuar për të gjitha nevojat e ansamblit të Mitrovicës që është mirëpritur prej tyre. Kryetari i Inegolit, Alinur Aktash, ka thënë se, "ky festival është një mundësi e mirë jo vetëm për prezantimin e vlerave kulturore, por edhe për afrimin e njerëzve të vendeve të ndryshme dhe të kulturave të ndryshme". Ai ka theksuar se, "gjatë këtyre ditëve në qytetin e tyre është një festë e vërtetë". Në përmbyllje të këtij festivali në Inegol do të mbërrijë dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili do të ketë takime zyrtare me drejtuesit e komunës mikpritëse për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin. /gj.m/
KOMENTE