English

Pakistan - Clinton Njofton Disa Projekte Të Rëndësishm Ndihme

ISLAMABAD, 19 korrik /ATSH-AFP/ - Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton, njoftoi sot në mëngjes në Islamabad disa projekte të rëndësishme ndihme amerikane për Pakistanin, një nga aleatët kryesorë strategjikë të Uashingtonit në rajon. "Do të ndërtojmë dy diga hidroelektrike dhe do ta ndihmojmë gjithashtu Pakistanin të zhvillojë burimet e tij të energjisë alternative si ato të erës dhe diellit", deklaroi Clinton në një fjalim përpara takimit me homologun pakistanez Shah Mehmud Qureshi. Këto projekte ndërmerren në kuadrin e planit të ndihmës për Pakistanin prej 7,5 miliardë dollarësh brenda pesë vjetëve i miratuar vitin e kaluar nga Kongresi amerikan, për të zhvilluar veçanërisht sektorët e ujit, të shëndetësisë dhe të bujqësisë. Clinton shpreson ta bindë Pakistanin se "partneriteti afatgjatë" i propozuar Pakistanit nga Shtetet e Bashkuara nuk kufizohet në luftën kundër terrorizmit. Hillary Clinton mbërriti dje në Pakistan, aleati strategjik i Shteteve të Bashkuara që prej atentateve të 11 shtatorit të vitit 2001 dhe pushtimit të Afganistanit fqinj nga koalicioni ndërkombëtar me në krye Uashingtonin. Dje, pak pas mbërritjes, ajo kërkoi masa shtesë për Pakistanin kundër terrorizmit, që synojnë veçanërisht grupet islamike të vendosura në vend dhe që veprojnë në Afganistan. Në maj, një atentat i dështuar në Times Square në Nju Jork, i dyshuari kryesor i të cilit është pakistanezi Faisal Shahzad, është marrë përsipër nga Lëvizja e talebanëve të Pakistanit Tehrik-e-Taliban. /I.Pu.
KOMENTE