Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tahiri: Buxheti, akuza më e mirë për qeverinë dhe tavolinën e kumarit ku hidhen zarat për vjedhjen e shqiptarëve
English

Tahiri: Buxheti, akuza më e mirë për qeverinë dhe tavolinën e kumarit ku hidhen zarat për vjedhjen e shqiptarëve

Tiranë, 19 korrik, NOA – Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Saimir Tahiri është ndalur rishtas te procedura e ndjekur në komisionin e ligjeve dhe shkelja e rregullores së parlamentit që dëshmohet pikërisht me ardhjen në parlament në seancë plenare pa një diskutim të vërtetë në komision, të një projektligji të rëndësishëm si buxheti i shtetit.

Duke iu referuar shkeljes së rregullave të parlamentarizmit nga kjo mazhorancë, Tahiri deklaroi se “në këtë përpjekje për të çmontuar me çdo kusht parlamentarizmin në këtë vend e për ta kthyer kuvendin në një paradhomë të pushtetit qeverisës, në Komisionin e Ligjeve keni shërbëtorët më të bindur. 4 ish ministra të drejtësisë janë grumbulluar në atë komision, por skandalet e tyre të ministerllëkut me tendera për familjarët e tyre, me shërbime kriminale për djalin e Kryeministrit, me kontribut të spikatur në tragjedinë e Gërdecit, me skandale të panumërta dhe korrupsion, i kanë shndërruar në fodullëk cinikësh e servilësh, që shkelin rregulloren e kuvendit e përdhosin të drejtat e garantuara të opozitës”, nënvizoi deputeti i PS-së.

Duke e quajtur një buxhet krize, buxhetin e shkurtuar të qeverisë që pritet të miratohet sot, deputeti Tahiri tha ndër të tjera se “ky është buxheti i krizës tuaj qeverisëse, sepse jeni ju që shpartalluat buxhetin e vitit që kaloi për të gënjyer shqiptarët me investime fiktive dhe shpenzime marramendëse elektorale. Jeni ju që me çdo kusht, nga blerja e deri te vjedhja, bëtë gjithçka vetëm për të mbajtur pushtetin, qoftë kjo dhe me koston e zhytjes së vendit në krizë. Është buxhet krize për qytetarët e thjeshtë, të cilët nga faturat e energjisë tashmë të papërballueshme dhe kompensimin qesharak, nga faturat e ilaçeve, të ushqimeve e të çdo gjeje tjetër, e deri të rrogat e pensionet e pamjaftueshme, zhyten në krizë përditë e më shumë”.

Sipas Tahirit qeveria Berisha është ajo që dorovit 4 milion euro vetëm për një koncert të Partisë e Çiljetës, miliona të tjerë për qeranë e shtëpisë në Shkodër të Kryetares së Kuvendit, për zyrtarët e ministrive, që makinën dhe shoferin për vete e familjen e përdorin akoma, megjithëse ndalohen me ligj; një qeveri që shërbehet për vete e rrënon një popull të tërë.

Rishtas deputeti i PS-së, rikujtoi se ky është një buxhet krize për sipërmarrësit privatë, të cilët po falimentojnë duke nxjerrë njerëzit në rrugë të papunë.

Sipas Tahirit, vetëm sipërmarrës të tillë si ministri Prifti që fitojnë 1.8 milion euro janë të paktët njerëz që fitojnë në këtë krizë të thellë ekonomike, sepse janë të lidhur me qeverinë.

Tahiri renditi si humbëse në këtë buxhet edhe institucionet e rëndësishme të pavarura të shtetit, si Gjykatat, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve, Avokati i Popullit e mjaft të tjera.

Në këtë kontekst, Tahiri nënvizoi se shkurtimi i buxhetit për këto institucione të së drejtës, “Do të thotë më pak mundësi për të kontrolluar deri në gjenezë pasurinë e zyrtarëve të lartë e familjarëve të tyre, si djali i kryeministrit që fiton 200.000 euro në vit e deri te ministri që fiton 1.8 milion euro në vit”.

Sipas Tahirit buxheti është akuza më e mirë për qeverinë, nga Kryeministri e deri te ministri më i fundit, sepse janë këta përgjegjësit kryesorë për gënjeshtrat publike me mrekullinë ekonomike, për shpërdorimin financiar, për fushatën elektorale më thasë me para në kurriz, për investimet fiktive, që nuk do bëhen kurrë po të mjaftueshme sa për të gënjyer shqiptarët.

“Tavolina e qeverisë nuk është më tavolinë pune, por tavolinë bixhozi e kumari me paratë e shqiptarëve që po ua vidhni nga xhepat për të mbushur tuajat. Është për këtë arsye që edhe ky ministri që kam këtu mbrapa, me 30 mijë euro në xhep hodhi zarat e fitoi brenda vitit 1.8 milion euro sepse këta këtu te kjo tribuna e ngritur pas meje janë ata që hedhin zarat e ndajnë llokmat e fitimit, ndërsa ju këtu poshtë jeni ata, që rrinë e duartrokasin si spektatorë të bixhozit të ministrave me lekët e shqiptarëve, se vetëm kaq mund të bëni në këmbim të bakshisheve që ju hedhin ministrat sa herë fitojnë dorën”, përfundoi deputeti Saimir Tahiri.

mit/NOA

KOMENTE