English

PS: Ju tregojmë të tjera fakte për pasurimin marramendës të ministrit Prifti

Tiranë, 20 Korrik, NOA – Nga selia rozë ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme shigjetimi i ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, i akuzuar kohët e fundit prej saj për deklaratën e tij të pasurisë dhe pasurinë e tij në përgjithësi.

Kanë qenë pikërisht, tre drejtues të Partisë Socialiste, dy deputetët Besnik Baraj, Ermonela Felaj dhe anëtarja e kryesisë, Lindita Nikolla, të cilët kanë denoncuar para Kryeministrisë, atë që e kanë quajtur skandali nr. 2 i ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.

Ata kanë denoncuar dy pasuri të tjera të Dritan Priftit me vlera miliona euro, duke i kërkuar prokurorisë të hetojë rreth tyre. “Sot është publikuar një tjetër skandal për Dritan Priftin. Përveç 1.8 milion eurove të fituara si me magji në 3 muaj të vetëm si ministër i Sali Berishës, ai nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë së tij një kat të tërë pallati me sipërfaqe 400 metra katrorë në një nga zonat më luksoze të Tiranë, si dhe një vilë që po ndërton në Lundër vlera e së cilës llogaritet në mbi 1 milion euro. Këto janë përmasat skandaloze të korrupsionit të ministrit Prifti dhe qeverisë Berisha-Meta”, tha deputeti socialist, Besnik Baraj. Ndërsa deputetja Ermonela Felaj i ka bërë thirrje prokurorisë të mos heshtë por të hetojë për këtë rast korruptim.

“Prokuroria dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë duhet të nisin menjëherë hetimet për aferën që e ka bërë milioner brenda natës Ministrin e Ekonomisë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një fitim llotarie, por me një rast të qartë korrupsioni. Pretendimi se pa investuar asgjë, Prifti jo vetëm që ka fituar miliona euro, por edhe nuk i detyrohet asgjë shteti shqiptar është skandaloz”, tha ajo.

Për të përfunduar me akuzat e ngritura nga anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, e cila u shpreh se Prifti shndërrohet në super-milioner brenda një viti duke qenë ministër i Ekonomisë, ndërsa shqiptarëve iu rrënohet ekonomia e tyre.

“Kjo afera, ku janë përfshirë ministrat e LSI, tregon qartë se si funksionon korrupsioni në qeverinë Berisha. Dritan Prifti në një vit si ministër fitoi 2.5 miliard lekë, në një kohë që ekonomia e vendit ka marrë të tatëpjetën dhe shqiptarët vuajnë përditë e më shumë vështirësitë ekonomike”, përfundoi ajo.

n.e/NOA

KOMENTE