English

Sport-Merkato/ Çezena Kërkon Sulmuesin Erjon Bogdani

TIRANË, 20 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/.- Sulmuesi i kombëtares shqqiptare Erjon Bogdani konsiderohet si përforcimi ideal për Çezenën në objektivin e saj madhor për një rikthim në Serinë A, të kampionatit italian. Lajmin e ka dhënë gazeta sportive "Corriere dello Sport". 33 vjeç dhe më shumë se dhjetë vjet eksperiencë në futbollin italian, Bogdani, i cili dy sezonet e fundit luajti me Kievon (8 gola në 61 ndeshje), ka karakteristikat e duhura që kërkon Çezena. Bogdani është një nga sulmuesit me peshë që mund të afrohet tek një klub pa paguar për transfertën, pasi nuk ka kontratë me asnjë ekip tjetër dhe ky është një favor për të. Gjithashtu, më parë klubi grek i Kavallas ka ofruar 800 mijë euro në sezon dhe një kontratë 2-vjeçare për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani. Për të është interesuar edhe ekipi anglez i QPR-së. Bogdani ka shprehur dëshirën të luajë dhe për 2 apo 3 sezone në kampionatin italian, por gjithsesi pritet që gjithçka të konkretizohet brenda pak ditëve, ku Bogdani do të ketë kohë për të menduar destinacionin e tij të ardhshëm. Këtë sezon Bogdani shënoi vetëm dy gola në Seria A në 21 ndeshje dhe një gol në Kupën e Italisë në 2 ndeshje. Gjatë edicionit të ardhshëm ai pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të sulmit të Shqipërisë në eleminatoret e Euro 2012. Bogdani ka në karrierën e tij futbollistike në Itali, fiks 300 ndeshje, ndërkohë që ka luajtur edhe me Rexhinë,m Salernitanën, Veronën, Sienën. Në Shqipëri, sulmuesi i Kombëtares sonë ka luajtur me Partizanin, në Turqi me Gençlerbilxhinë dhe në Kroaci me NK Zagreb. /f.n.
KOMENTE