English

"Alo 116", Thirrje Nga Mbi 130 Mijë Fëmijë

TIRANE, 21 Korrik /ATSH/. -Mbi 138 mijë fëmijë nga e gjithë Shqipëria kanë telefonuar brenda një viti në Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët "ALO 116", e ngritur nga UNICEF-it dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) me mbështetjen e qeverisë, që ofrohet falas me një rrjet të shtrirë në të gjithë vendin. Linja e telefonit për fëmijë, tashmë ka zgjeruar shërbimet e saj në mjediset pranë Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shqipëri. Në këtë shërbim sipas CRCA në shumicën e rasteve kanë kërkuar ndihmë fëmijë të moshave 9-17 vjeç. Fëmijët kanë marrë falas në telefon numrin 116 për të raportuar raste të dhunës dhe keqtrajtimit brenda familjes atje ku ata besojnë se do të duhet të ishin më të sigurt. Në një pjesë të madhe të rasteve fëmijët kanë kërkuar informacion rreth marrëdhënieve seksuale dhe marrëdhënieve me partnerët apo kanë telefonuar për të denoncuar raste dhune në shkollë, për të kërkuar informacion rreth të drejtave të tyre, informacion mbi mënyrat si të ngrenë marrëdhënie të shëndetshme me bashkëmoshatarët etj. Pas vitit të parë të funksionimit të këtij shërbimi, CRCA bënë të ditur se do të punojë për të kryer investime të reja në këtë shërbim. Veç investimeve që po bëhen për të rritur cilësinë teknike të programit dhe të aparaturave, po punohet sidomos për të ngritur kapacitetet profesionale të këshilluesve dhe të operatorëve të ALO 116. Stafi i ALO 116 përbëhet aktualisht nga 2 menaxherë, 2 supervizorë dhe 12 operatorë e këshillues profesionalë, të cilët punojnë 24 orë gjatë 7 ditëve të javës. Numri i Linjës ALO 116 mund të merret falas nga çdo telefon dhe është falas. Posta e Republikës së Shqipërisë (AKEP), vendosi një vit më parë në dispozicion të Linjës Kombëtare për Fëmijët në Shqipëri, numrin e telefonit të harmonizuar europian 116. Linja Kombëtare e Fëmijëve u hap formalisht në shtator 2008 dhe tani i përgjigjet telefonatave të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria në mënyrë të kualifikuar dhe pa pagese, 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës./e.gj/a.s/
KOMENTE
  • emi14:24 - 08 Shkurt 2011
    eshte shume e rendesishme qe te jete nje shoqate per femijet ato kan nevoje per ju ju lumte