English

Kosove: Qeveria Shpreh Brengosje Per Procesin E Rigjykimit Ndaj Haradinajt

PRISHTINË, 21 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Qeveria e ka përcjellur me vëmendje procesin gjyqësor të shkallës së dytë dhe shpreh brengosje për procesin e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një deklaratë të sapodhënë të Qeverisë, thuhet se "Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, por është e bindur se z.Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur i pafajshëm". Sipas deklaratës, qeveria rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vete z. Haradinaj, kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, gjë qe po rikonfirmohet edhe në rastin aktual. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje qytetarëve që "të kenë besim në drejtësinë ndërkombëtare, duke shprehur besimin e plotë se të bashkuar, do t'i tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh, për çka qeveria jep garancione të duhura". /a.ke/
KOMENTE