English

Zhvarrimi i kufomave të çiftit Çaushesku, kërkohet vërtetësia me anë të testeve të ADN

Rumani, 22 Korrik NOA/ Rid Bulku - Kufomat e ish-diktatorit rumun, Nikolae Çaushesku dhe të gruas së tij, Elena, të ekzekutuar njëzet vjet më parë, pas një gjyqi përmbledhës dhe të groposur në varrezat e Ghencea, në Bukuresht, u zhvarrosën dhe kjo për të realizuar mbi to analizat e ADN-së.

Qëllimi, sipas raporteve nga një zyrtar i varrezave, është për të verifikuar identitetin e dy trupave.

Dhëndri i Çausheskut, Mirçea Opran, i ve, që kur Zoe u nda nga jeta, kishte thënë në televizion më parë se “trupat do të zhvarrosen për t’iu nënshtruar analizave të ADN-së dhe kjo për të përcaktuar vërtetësinë e tyre”.

Do të duhen disa javë për të marrë një rezultat të këtij testi. Pas përfundimit të kësaj procedure, trupat do të rikthehen sërish atje ku ishin.

Nikolae Çaushesku ka qeverisur Rumaninë nga viti 1965 deri në vitin 1989. Pushteti i tij u rrëzua në dhjetor të 1989 nga protesta në rrugë që pasuan me shembjen e Murit të Berlinit, ku ai u përpoq të ikte, por u arrestua dhe u ekzekutua së bashku me gruan e tij në ditën e Krishtlindjeve të atij viti.

Sipas autoriteteve ata janë varrosur në varrezat e Ghencea në Bukuresht. Dhëndri u shpreh : “Mund të them se janë ata”.

Mircea Oprean, dhëndri i ish-diktatorit rumun, ka pohuar se kishte arritur të njihte pallton dhe pantallonat e grisura nga armët e zjarrit, kur ai u ekzekutua në dhjetor të 1989.

“Mund të them se janë ata”, - tha Oprean, për të përditshmen “Evenimentul zilei online”, - “pashë kufomat, dhe ajo e Nikolae dukej që ishte më mirë e ruajtur. Për ta thënë me siguri të plotë do të jetë e nevojshme të priten rezultatet e testit të ADN-së”.

r.b/NOA

KOMENTE