English

Anija e ndaluar prej 3 muajsh në breg, sëmuren dy marinarë egjiptianë

Durrës, 22 Korrik, NOA – E bllokuar prej 3 muajsh në radën e jashtme të Portit Detar të Durrësit për probleme dokumentacioni, anija “Evangjelisos” ka lëshuar dje sinjalin se dy marinarë të saj ishin në gjendje të rënduar shëndetësore.

Lajmi është konfirmuar nga ana e ekuipazhit të anijes, i cili ka kërkuar ndihmë për dy marinarë me shtetësi egjiptiane, konkretisht për 62-vjeçarin me inicialet S.O. dhe 53-vjeçarin me inicialet M.F.

Bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se menjëherë pas këtij lajmërimi, një grup praktike është nisur drejt anijes dhe pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore, është bërë transportimi i të sëmurëve drejt urgjencës së spitalit të Durrësit për ndihmë më të kualifikuar.

Mësohet se pas marrjes së trajtimit mjekësor, marinari me inicialet S.O. u shoqërua për në anije, ndërsa ai me inicialet M.F. vazhdon të qëndrojë në spital.

n.e/NOA

KOMENTE