English

Kukes: Procesi I Privatizimit Te Ish-Nb-Ve Ende Nuk Ka Perfunduar

KUKES, 22 korrik/ATSH-R.Hoxha./- Pasuria shtetërore e ish Ndërmarrjeve Bujqësore edhe pas dy dekadash ende nuk ka ndryshuar pronësi, ndonëse shumica e objekteve të tyre shfrytëzohen nga persona privatë. "Procesi i privatizimit të objekteve të ish NB-ve që ende janë në pronësi shtetërore, vazhdon. Aktualisht janë në proces 14 objekte të ndryshme, që po vlerësohen nga komisioni i ekspertëve të vlerësimit të qarkut të Kukësit", thotë për ATSH-në, kryetari i degës së shoqërive publike të qarkut të Kukësit, Naim Pacara. "Tashmë kanë mbetur vetëm pak prona të ish NB-ve pa u privatizuar, pasi procesi është neglizhuar nga strukturat shtetërore. Kështu në qarkun e Kukësit në 3 vitet e fundit nuk është hedhur në privatizim asnjë objekt i ish NB-ve, ndërsa këtë vit 14 objekte", thotë Pacara. Për përshpejtimin e privatizimit për objekte të tilla shtetërore, në vitin 2008 Këshilli i Qarkut vendosi kalimin e tyre në përdorim komunave, të cilat e kanë të pamundur t'i shfrytëzojnë, ç'ka ka bërë që shumica të shkatërrohen dalëngadalë. "Këto objekte janë në inventarin e shtetit dhe duhet gjetur zgjidhja, pasi ka prej tyre që vetëm janë në inventar, por dhe të tjera, që nuk ekzistojnë më", thotë Pacara. Në këtë inventar janë dhe objekte që janë vënë në përdorim nga privatë të ndryshëm, të cilët nuk paguajnë asnjë lloj takse dhe qera për arkën e shtetit, me arsyetimin, se objektet janë në tokën e tyre. "Ky është një problem më vete që ende nuk ka gjetur zgjidhjen e plotë në këtë rajon, ndërsa objekte të ish NB-ve shfrytëzohen nga persona të ndryshëm si në Nangë, Bushat, Kukës etj", thotë Pacara. Rrethet e Kukësit e Hasit kanë patur 3 Ndërmarrje Bujqësore, ndërsa për t'u privatizuar rreth 1300 objekte të ndryshme. Pas dy dekadash janë privatizuar, apo janë larguar nga inventari rreth 85 për qind e tyre./n.m/
KOMENTE