English

Sport-Europa League/ Besa, Në Greqi Për Të Fituar Përvojë

TIRANË, 22 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Tek Olimpiakosi më shumë po i thurin lavde blerjes së re, spanjollit Albert Riera të ardhur nga Liverpuli, se sa t'i kushtojnë ndonjë vëmendje të posaçme takimit kundër Besës së Kavajës për ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Europa League. Argumenti është i qartë: në ndeshjen e parë të zhvilluar para një jave në "Qemal Stafa", Olimpiakosi i Pireut fitoi 5-0, duke e shndërruar i në një shëtitje ballafaqimin në kryeqytetin shqiptar. Formacioni i drejtuar nga gjermani Evald Lienen, që tashmë me rezultatin 5-0 të siguruar edhe pse do të luajë në një "Karaiskaki" pa shikues, është i kualifikuar për në turin e tretë eliminator. Besa nuk ka fituar kurrë një ndeshje në Europë (në 13 takime). Sipas "Goalday.gr", Olimpiakos pritet të ketë kundër Besës edhe Olaf Melbergun, ndërkohë që në formacion do të luajnë Nikopolidhis, Pardo, Galitsios, Raul Bravo, Holebas, Modesto, DuDu, Oskar, Papadhopulos, Mareska, Zairi, Epstain, Fetfasidhis, Mitroglu, Diogo, Darbisair, Miralas. "Kuqebardhët" grekë e kanë të sigurt kualifikimin dhe më shumë mendojnë për skuadrën kundërshtare të raundit të tretë, që do të dalë nga takimi Makabi Tel-Aviv (Izrael) me skuadrën malazeze, Mogren (2-0 takimi i parë për izraelitët). Kapiteni i Besës, Artion Poçi, foli para takimit me Olimpiakos per ndeshjen e kthimit ndaj Olimpikaos. "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne përballë një kundërshtari kaq të vështirë. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën tonë dhe të mos lejojmë një rezultat të rëndë më atë të ndeshjes së parë". Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, deklaroi gjatë konferencës për shtyp për mediat greke se fituesit e Kupës së Shqipërisë kanë ardhur në Greqi për të fituar përvojë pas humbjes 5-0 me Olimpiakosin në ndeshjen e parë në Tiranë dhe përmbysja dhe kualifikimi mund të ndodhë vetëm në ëndërr. "Rezultati në Tiranë tregoi se do të jetë një vit shumë i vështirë për ne, pasi na kanë ikur disa lojtarë të mirë. Nuk ka nevojë të themi më shumë. Olimpiakos pranon të blejë Rierën 25 milionë euro, ndërkohë që ne kemi buxhet vetëm 500 mijë euro". Takimi i sotëm do të luhet në orën 20:30, dhe gjyqtar është anglezi Li Robert. /a.ke/
KOMENTE