English

Sport-Europa League/ Tirana Në Lojë Dinjiteti Ndaj Utrehtit

- 24 herë kampionët e Shqipërisë përjetuan një javë polemikash pa fund me akuza e kundërakuza pas humbjes 4-0 në Holandë -. TIRANË, 22 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Mes polemikave për shitje të ndeshjes në Holandë dhe humbjes 4-0 me Utrehtin në takimin e patë të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës, Tirana do të luajë sonte në mbrëmje shanset e fundit në Europë, të paktën për ta mbyllur me nder kompeticionin, ashtu siç bëri Dinamo në Ligën e Kampioneve. 24 herë kampionët e Shqipërisë përjetuan një javë polemikash pa fund me akuza e kundërakuza, si nga presidenti Refik Halili, ashtu dhe nga trajneri Sulejman Starova, situata që gjithmonë janë përpjekur të shuhen nga shefi i klubit, Rauf Dimraj. Humbja në Holandë me rezultatin e thellë 4-0, pas dy gafave të pafalshme nga ish-portieri i kombëtares, Ilion Lika, i dha një goditje të madhe shkëlqimit të Tiranës në kualifikimin e merituar pas 210 minutash lojë me hungarezët e ZTE-së. Kundër Utrehtit do të jetë e pamundur të përmbyset dizavantazhi prej katër golash, por së paku klubi rekordmen në Shqipëri përsa u përket ndeshjeve ndërkombëtare dhe trofeve, duhet të tregojë se e meriton të largohet me dinjitet nga aktiviteti i dytë më i rëndësishëm europian për klubet. Në takimin e parë në Holandë, rezistenca e djemve të Sulejman Starovës zgjati vetëm 8 minuta, kur sulmuesi holandez Riki van Volfsvinkel shënoi golin e parë për vendasit. Lojtari 21 vjeçar i kombëtares B të Holandës, shënoi dhe golin e dytë në minutën 27-të. Tri minuta më pas, mesfushori ganez Nana Asare trefishoi rezultatin, duke mbyllur çdo shpresë të Tiranës për një ndeshje të denjë në Holandë, aty ku gati 40 vjet më parë një tjetër formacion bardheblu në vitin 1970 i kishte rezistuar Ajaksit të Amsterdamit (2-0), në fillimet e kulmit të klubit të famshëm holandez. Me pjesën e parë të mbyllur 3-0, Tirana nuk shfaqi më asgjë nga futbolli i klubit me më shumë trofe në Shqipëri dhe me më shumë ndeshje ndërkombëtare në Europë, duke pësuar edhe golin e katërt në minutën e 75-të nga sulmuesi belg i Utrehtit, Dries Mertens. Dhjetë minuta më pas, portieri Ilion Lika u ndëshkua me karton të kuq, për të plotësuar mbrëmjen tragjike të Tiranës, që nga ana e saj gjuajti vetëm një herë në portë kundrejt 18 të holandezëve. Ndeshja e kthimit në "Qemal Stafa" duket se nuk do të ketë shumë histori, pasi Tiranës i duhet të shënojë minimalisht katër gola e të mos pësojë asnjë për të shpresuar të paktën në kohën shtesë. Kompanitë e basteve në botë, nisur edhe nga humbja 4-0 e Tiranës në ndeshjen e parë, kanë vendosur këto koeficient: 1.57 fitorja e Utrehtit, 3.8 barazim dhe vetëm 5.5 fitorja e Tiranës. Tifozët e Tiranës do të hyjnë falas në ndeshjen e sotme kundër holandezëve të Utreht. Tirana do të përfitojë 7 mijë euro nga e drejta televizive e transmetimit të ndeshjes Tirana-Utreht (Holandë). Ndeshja do të transmetohet nga paketa dixhitiale "Tring". /a.ke/ - Europa League, turi i dytë Stadiumi "Qemal Stafa" ora 19:30 Tirana - Utreht Tirana: Korunovski, Sina, Pashaj, Osmani, Ahmataj, Lila, Karabeci, S.Lilaj, Hajdari, Plaku, Pejiç. Trajner: Sulejman Starova. FC Utrecht: Sinouh, Cornelisse, Schut (Van der Maare 77'), Vuytens, Nesu, Maguire, Lensky, Mertens, Asare, Mulenga (Loval 80'), Van Volfsvinkel
KOMENTE