English

Virozat e stinës, Pediatria: 300 raste në ditë

Tiranë, 22 korrik, NOA, Blerina Ahmetaj - Që nga fillimi i muajit korrik kur temperaturat janë rritur ndjeshëm duke arritur pikun deri në 40 gradë, këto pamje në urgjencën e spitalit pediatrik në QSUT janë mëse normale.

Pothuajse të gjithë shtretërit e urgjencës çdo ditë mbushen plot me fëmijë kryesisht të moshës pediatrike 0-10 vjeç, të cilët kërkojnë ndihmën e mjekëve.

Prindërit thonë se shenjat, që kanë shfaqur fëmijët janë të vjellat, dhimbjet e barkut dhe temperatura e lartë.

Ndërsa mjekja pediatre në urgjencën e spitalit Pediatrik, Elda Skënderi, thotë se prej tre javësh, në urgjencë paraqiten çdo ditë 300 fëmijë të prekur nga sëmundjet gastroenterite me origjinë virale, kryesisht nga zonat periferike të Tiranës.

“Rastet shtohen më shumë gjatë natës kur numri i fëmijëve, që kërkojnë ndihmë është më i madh. Për të evituar komplikacionet, që mund të shkaktojnë virozat, duhet të rritet kujdesi nga ana e prindërve si dhe evitimi i daljeve në orët e pikut të diellit”, shprehet mjekja pediatre.

E njëjta situatë paraqitet dhe në rrethe të tjera të vendit, ku më të prekurit nga virozat janë kryesisht të vegjlit.

b.a/NOA
KOMENTE