English

Isksh: Bonus Deri Ne Një Pagë Për Qendrat Shëndetësore

TIRANË, 23 Korrik /ATSH/.- Drejtoresha e ISKSH-se, Elvana Hana, zhvilloi sot një takim me mjekët e familjes në kuadër të mbylljes së perllogaritjeve per gjashtë muajt e parë të vitit, lidhur me realizimin e treguesve të performancës dhe cilësisë nga Qendrat Shëndetësore në të gjithë vendin. "Në zbatim të politikave të Qeverisë, qe e konsideron sektor prioritar atë të shëndetësisë dhe nisur nga treguesit e mirë të performancës, punonjësit e qendrave shëndetësore do të përfitojne deri në një page bonus për gjashtëmujorin e pare te vitit, ne baze te realizimit te indikatoreve te performances dhe bonusit", u shpreh ne takim drejtoresha e ISKSH-se, Elavana Hana. Reforma në shërbimin shëndetësor parësor, e nisur ne vitin 2007, po jep frytet e saj edhe sa i takon pagesës së personelit mjekesor, për të katërtin vit radhazi, ai shperblehet në bazë të punës së kryer dhe cilësisë së shërbimit që u ofron pacientëve. Mbështetur në realizimin e treguesve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë deri në një pagë mujore financim shtesë, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë. Konkretisht, numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e familjes në shkallë republike, është realizuar rreth 80% ndërsa treguesi i cilesisë, apo bonusi, është realizuar rreth 55%. Referuar të dhënave të mbledhura nga ISKSH, rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 75% nga 300 Qendra Shëndetësore, ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 60% nga rreth 100 qendra shëndetësore. Në këto qendra punojnë mbi 6500 punonjës ose 70% e numrit të përgjithshëm që punojnë në Qendrat Shëndetësore. Sipas rajoneve, rezulton se përfitojnë shpërblime deri në një pagë mujore, punonjësit e rajoneve të Beratit, Dibrës, Durrësit, Fierit, Kukësit, Lezhës, Vlorës dhe Tiranës, të cilët kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë dhe përformancës. Për 6 mujorin e parë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen në total rreth 250 milionë lekë bonus për punonjësit e qendrave shëndetësore. Nga ky fond, tha drejtoresha Hana, përfitojnë 9350 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët rreth 2 mijë mjekë familje dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë. Fondet për financimin shtesë janë transferuar tashmë në llogaritë bankare të qendrave shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit korrik./e.gj//a.ke/
KOMENTE