English

Pas GJND, Kosovë-Serbi riaktivizim në fushën diplomatike

Beograd, 24 Korrik, NOA – Mendimi këshillë-dhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e quajti të ligjshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, duket se u ka dhënë hov të ri të dy këtyre vendeve për lëvizjet e reja diplomatike.

Kështu, Prishtina zyrtare paskëtaj do të jetë më intensive në përpjekjet për t’i bindur shtetet e tjera për njohjen e shtetit të saj të pavarur, ndërsa Beogradi zyrtar do të synojë që tani betejën diplomatike ta zhvendosë në Nju Jork, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kjo e fundit do të vendosë një ditë nëse Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota e duket se deri në këtë moment, Serbia do të konsumojë të gjitha përpjekjet e saj diplomatike për të mos e lejuar një fakt të tillë.

Deri tani, 69 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe më tepër se 20 shtete të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën shtet, ndërsa pritet që kjo shifër të rritet më shumë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

n.e/NOA

KOMENTE