English

Fier, djali i mitur masakron të atin deri në vdekje bashkë me nënën

Fier, 26 Korrik 2010 NOA – Ajo që deri para disa orësh ishte ngjarje pa autor, në orët e mbrëmjes është zbardhur tërësisht. Burri 48 vjeçar që u gjet i vdekur në Fier, ishte vrarë nga djali i tij i mitur dhe e shoqja që nuk ngurruan ta masakrojnë me thikë dhe mjete të tjera prerëse.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit, i konfirmuan agjencisë së lajmeve NOA se autorë të vrasjes në bashkëpunim të Ylli Zeqajt në Fier, janë A. Zeqaj, 16 vjeç, djali i të ndjerit dhe Luljeta Zeqaj, 45 vjeçe, gruaja e viktimës.

“Nga hetimet e para rezulton se nënë e bir i morën jetën 48 vjeçarit duke e plagosur me thikë dhe mjete të tjera prerëse rrethanore duke i shkaktuar atij tetë plagë vdekjeprurëse”, konfirmuan burimet zyrtare policore për korrespondentin e agjencisë NOA.

“Pasi e vranë dhe e lanë të shtrirë në dhomën e ndenjes ata u larguan për në banesën ku jetonin së bashku, pasi pak kohë më parë çifti Ylli dhe Luljeta Zeqaj ishin divorcuar dhe djali jetonte me të ëmën’, detajuan burimet policore.

Në mënyrë të rastësishme 48 vjeçari është gjetur i vdekur sot në banesë ku kishte nisur era e rëndë dhe është njoftuar Drejtoria e Policisë së Qarkut.

Efektivë të saj shkuan menjëherë ne vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se i ndjeri ka gjetur vdekjen si pasoje e disa goditjeve me mjete mprehëse.

“Nga veprimet hetimore kemi konstatuar se viktima ka gjetur vdekjen rreth dy ditë më parë, si rezultat i tetë plageve depertuese te shkaktuara nga mjet mprehës”, - konfirmuan për agjencinë NOA, burime zyrtare policore.

Viktima, Ylli Zeqaj, 48 vjeç, lindur ne Mallakastër dhe banues ne Fier, u gjet i vdekur rreth ores 10.30 të ditës së Diel, në banesën e tij, në lagjen “Kastriot” te qytetit, por vrasja nga i biri dhe e shoqja kishte ndodhur dy ditë më parë më 23 korrik në orët e pasdites”, - saktësuan burimet policore.

Strukturat e Hetimit te Krimit ne Drejtorine e Policise Qarkut Fier thanë se në bashkepunim me strukturat e Komisariateve Fier, Lushnje dhe Mallakaster jane angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kesaj ngjarjeje, duke organizuar punen hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plote ligjor te kesaj ngjarjeje.

Natën duke nisur dita e Hënë, policia konfirmoi se ka arrestuar 16 vjeçarin dhe të ëmën me akuzën e vrasjes në bashkëpunim të Ylli Zeqajt.

Hetimet dhe dëshmitë e mbledhura nga të dyshuarit, nxjerrin faktin se pak para se ta vrisnin, nënë e bir janë grindur me Yllin në lidhje me ndarjen e shtëpisë pas divorcit që kishin bërë por mosmarrëveshjet vazhdonin dhe në këto rrethana konflikti është ashpërsuar dhe grindja për këto motive të dobëta përfundoi në masakër.

Tani, nënë e bir gjenden në qelitë e paraburgimit të drejtorisë rajonale të policisë në Fier, jo larg banesës ku kryen vrasjen makabër.

e.b/r.n/NOA

KOMENTE