English

Gjermeni: Pasuria e Priftit, rasti i kapjes së shtetit

Tiranë, 25 korrik, NOA – Partia Socialiste e ka cilësuar mungesën e marrjes së papërgjegjësive nga qeveria dhe nga ministri i Ekonomisë Dritan Prifti si rastin konkret të kapjes së shtetit nga korrupsioni.

“Rasti i pasurimit të Dritan Priftit me 2 miliard e gjysmë lek në më pak se 1 vit është rasti tipik i kapjes së shtetit shqiptar”, u shpreh sot në një konferencë për mediat deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni. Ajo u shpreh se heshtja nuk do e ndihmojë ministrin Prifti për t’i shpëtuar të vërtetës.

Nga ana tjetër Gjermeni u është përgjigjur dhe akuzave të bëra nga drejtori i Ministrisë së Ekonomisë, Besjan Pesha një ditë më parë.

Ajo tha se nëpunësit e administratës nuk mund të përdoren politikisht.

“Si mund të imagjinohet që një Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, një nga drejtuesit më të lartë të administratës civile, del dhe mbron politikisht ministrin, madje guxon dhe të akuzoje opozitën. Nëpunësi civil që përdoret politikisht, hapur, në kundërshtim të plotë të çdo ligji e statusi”, tha ajo.

Gjermeni shtoi se në çdo vend të botës demokratike, kur opozita ngre pikëpyetje, qeveria përgjigjet. “Por kjo nuk ndodh në Shqipëri”.

NOA

KOMENTE