Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rrëfimi i Ildës: “Dua që vrasësit e tim shoqi të kalben në burg”
English

Rrëfimi i Ildës: “Dua që vrasësit e tim shoqi të kalben në burg”

Dëshmi rrënqethëse e 24 vjeçares Ilda Todi, e reja nga Shqipëria që braktisi studimet në Itali për tu bashkuar me të dashurin në Greqi ku edhe sollën në jetë një fëmijë. Si jeton pas 16 shkurtit të këtij viti kur Niku 25 vjeçar u vra gjatë një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe dy shqiptarësh të dyshuar për grabitje dhe pse thotë se është e vdekur në mes të gjallësh”. Lexoni raportin e plotë që sjell bashkëpunëtori i agjencisë NOA në Athinë

Athinë, 25 Korrik 2010 NOA - “Tashmë, jeta për mua ka mbaruar. Ndjehem si një e vdekur mes të gjallësh. Tanimë, vetëm marr frymë dhe ekzistoj për fëmijën tim, por edhe që të shoh vrasësit e tim shoqi të kalben në burg”.

Këto janë fjalët e Ilda Todit, 24 vjeçars që mbeti e vè në shkurt të këtij viti kur i shoqi Niko Todi mbeti i vrarë në një aksion policor grek në Athinë.

Ilda tregon se është shumë e trishtuar dhe e këputur nga ngjarja që i ndodhi dhe për faktin që ka mbetur e vè në këtë moshë dhe me një fëmijë jetim nga i ati.

I shoqi, Niko, vetëm 25 vjeç ishte më 16 shkurt të këtij viti kur u qëllua fatalisht në rrugën “Zoodhohu Pigjis” në zonën e Vironas në kryeqytetin grek, ku punonte si hidraulik, gjatë një shkëmbimi zjarri mes dy shqiptarësh të dyshuar për grabitje dhe policisë. Nga kjo e fundit, një efektiv hapi zjarr dhe i mori jetën Niko Todit duke e lënë të vdekur në rrugë ndërsa kalonte aty rastësisht.

Gjithçka ndodhi kur nga ana e të dyshuarve u hodhën bomba dore në drejtim të policisë që i kishte rrethuar pranë bankës së sulmuar për grabitje. Niko, ishte duke transportuar mjete hidraulike nga makina në dyqanin ku po punonte, kur pësoi vdekjen e papritur.

I ndjeri, vetëm pak kohë para se të ndërronte jetë kishte krijuar familje me Ildën një vit më e vogël dhe kishin sjellë në jetë një fëmijë.

Ilda, duke folur për herë të parë për median pas ngjarjes së 16 shkurtit, thotë se janë dy, ndjenjat e fuqishme që e mbajnë ende gjallë, ajo e fëmijës motak dhe dëshira për të parë të dergjen në burg, vrasësit e të shoqit.

“Ajo ngjarje e tmerrshme ngjau më 16 shkurt, kurse tani më 16 gusht, ne duhet të festonim njëvjetorin e martesës me Nikun që nuk e kemi më”, thotë Ilda e pikëlluar, duke mos i mbajtur dot lotët.

“Niko ishte gjithçka për mua ndaj dhe unë braktisa gjithë ëndrrat e mia që kisha si vajzë e re dhe e ndoqa pas në Greqi për të pasur atje një jetë më të mirë, së bashku’, tregon Ilda.

Ajo kujton se me Nikun ishte njohur katër vjet më parë mes disa miqsh të përbashkët, në Shqipëri. “Ishte një dashuri me shikim të parë. Unë atëherë studioja për Shkenca Sociale në Itali kurse Niku punonte këtu në Greqi ku kishte ardhur që i vogël, 12 vjeç dhe që kur u njohëm në Shqipëri më 2006, u dashuruam”, kujton Ilda me mall.

“Nuk munda të qëndroj larg tij. Kur ne u larguam, unë në Itali ku kisha studimet dhe ai në Greqi ku punonte, qëndrimi larg po më bënte të vuaja. Ndaj vendosa të braktis gjithçka dhe të bashkohem me të në Greqi”, tregon Ilda.

Kurse shton se në shkurt kur ndodhi tragjedia, Jani, djali i tyre, ishte ende pa mbushur një vjeç.

“Ne sollëm në jetë Janin para dasmës që bëmë më 16 gusht, sepse Niku e donte shumë një fëmijë dhe këmbënguli”, kujton Ilda ndërsa ledhaton djalin e tyre tani pak më shumë se një vjeç e gjysmë.

“Niku bëhej copë për ne. Ishte gati të bënte dy punë vetëm që mua dhe Janit të mos na mungonte asgjë”, thotë Ilda dhe citon të shoqin: “Ilda, djali ynë do të rritet pa telashe, pa vuajtje. Unë mund të haj bukë e kripë, por atij s’do t’i mungojë asgjë”, - ishte premtimi i Nikut.

Kurse ngashërehet dhe nuk e mban dot të qarën kur thotë: “Im bir kur i ati vinte nga puna niste të qeshej dhe luanin së bashku. Tani duket se e ka kuptuar që nuk është më sepse sheh fotografitë e tij dhe thërret, Babi, Babi”.

Çastet e fundit, plot lumturi

Nata e fundit e jetës së Nikut ishte e lumtur. Ilda tregon se atë mbrëmje kishin mysafirë në shtëpi. “Kaluam shumë bukur, ishim shumë të lumtur”, kujton ajo me nostalgji mbrëmjen e 15 shkurtit. “Kur ramë të flinim, i vogli nuk donte të shtrihej por i afrohej të atit që të luante akoma. E përkëdheli gjatë, a thua se e dinte se të nesërmen nuk do ta shihte më”.

Tilda kujton dhe mëngjesin para vrasjes: “Kur u zgjuam në mëngjes, Niku shndrinte nga gëzimi: “Ilda, e pe. E pe si luante djali me mua, sa i gëzuar që ishte. Më do fort dhe ai, ashtu si ti”, - më tha duke buzëqeshur dhe pasi më përqafoi, u nis për në punë”, - shpërthen në dënesë Ilda duke mos u mbajtur dot më nga kujtimet e bukura që nuk do të përsëriten dot më kurrë.

Lajmi i kobshëm

Lajmin e tmerrshëm, Ilda Todi e mësoi nga pronari i të shoqit. Ai i kishte thënë se Niku ishte plagosur rëndë dhe gjendej në spital. Nga ai çast e më tutje, - tregon Ilda, - askush nuk më informoi për asgjë dhe për të sqaruar se çfarë konkretisht kishte ndodhur me Nikun.

“E tmerruar, pa ditur se ç’të bëja dhe ku të drejtohesha, telefonova miq e kushërinj që kemi këtu dhe të gjithë bashkë dolëm në rrugë, pa ditur se ku të shkonim. Në një moment shkojmë në spitale dhe në njërin prej tyre na thanë se aty kishte mbërritur. Ishte ora 17.30 por deri në mbrëmje askush nuk na thoshte gjë për gjendjen e tij kurse unë dija vetëm që ishte plagosur rëndë e jo që nuk ishte më”, - tregon Ilda.

“I vetmi që na ka ndihmuar në ato momente ka qenë kryetari i bashkisë së Vironas, Nikos Hardalias, i cili na qëndroi pranë, kurse të vërtetën e mësova nga kushërinjtë e mi”.

“Dua vetëm drejtësi”

Sot, mëse pesë muaj pas humbjes së të shoqi, Ilda 24-vjeçare thotë se e vetmja gjë që kërkon është drejtësi. “E vetmja gjë që unë dua tani është që të ketë drejtësi. Të paguajnë ata që realisht kanë faj. Shpirti im është i mbushur me urrejtje për ata që vranë tim shoq. Është kjo urrejtje që po më mban ende gjallë, sepse dua t’i shoh të kalben në burg”, - thotë Ilda duke gjetur forcë të shprehë merakun e jetës.

Ndërsa shton: “Im shoq u rrit me shumë mundime, por ishte i ndershëm dhe arriti të bënte shumë për ne, që ne asgjë të mos na mungojë. Ai erdhi në Greqi me ëndrrën e një jete më të mirë, por fatkeqësisht e pagoi shumë shtrenjtë atë ëndërr”.

Kurse bën dhe një premtim: “Për mua, ai do të jetë përgjithmonë burri i jetës sime dhe unë do të bëj çmos që ta rris djalin tonë sa më mirë derisa të jem krenare për të”.

***

Familjarët e Nikut të ndjerë, i kanë dedikuar atij dy fjalë të cilat i lexoni më poshtë:

Kush nga ato nëntë plumba ishte që të mori jetën ty

Cili plumb ishte që shoi shpirtin tënd të pastër dhe të mori në udhëtimin e përtejmë

Në një udhëtim drejt paqes dhe qetësisë, qetësisë që jetohej në sytë e tu dhe që tani jeton në sytë e një engjëll të vogël. Qielli ngjan me shpirtin tënd...

Shpirtrat e pastër nuk mund të përballojnë të keqen e kësaj bote. Ato shkrihen dhe fluturojnë lart... Por unë e di, Zoti ka engjëjt, shoqërues të tij. TI, JE NJË ENGJËLL.

n.s/r.n/NOA

KOMENTE