English

Vlorë: Traditat Në Kuzhinë, Vlera Për Turizmin

VLORË, 25 Korrik/ATSH-H.Koçi/.- Gëzimi dhe Filipi, dikur punonjës në ish-Hotel Turizmin "Adriatiku" në Vlorë, i pari kuzhinier dhe i dyti kamerier, kanë vendosur t'i rikthehen traditës në kuzhinë. Ndaj dhe kanë marrë me qera një mjedis në zonën e Skelës, ku kanë nisur aktivitetin dhe ku menyja bazë është ajo e gatimeve të traditës. Lokali i tyre, me emrin e dikurshëm "Adriatik", ngrihet në këndin perëndimor të sheshit "Pavarësia". "Kemi 2 muaj që e kemi çelur lokalin, por po shohim se klientela po rritet çdo ditë", thotë për ATSH-në, Filipi, kamarieri i njohur në Vlorë. Ai tregon se, klientë janë jo vetëm qytetarë vlonjatë, apo nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe të huajt. Mjaft të huaj, turistë apo nga ata që punojnë në Vlorë janë shndërruar tashmë në klientë të rregullt. "Preferojnë dhe pëlqejnë mjaft pastiçon, llazanjën, tavën e plëncit, atë të patëllxhaneve, byrekun, tavën e kosit, tavën e dheut", tregon kamarieri 55 vjeçar. Tek këto gatime, një pjesë karakteristike për trevat e Vlorës, klientët e huaj vlerësojnë cilësinë, shijen. Për Filipin, traditat në kuzhinë, përbëjnë një element mjaft pozitiv, sepse, sipas tij, "këto gatime na dallojnë nga popuj të tjerë fqinj". - Tradita në kuzhinë - Pjata simbol në Vlorë, mbetet qengji i pjekur në hell, me prush, i butë dhe njëkohësisht krokant. Në të njëjtën mënyrë përgatitet edhe mishi i kecit, veçanërisht në zonën Lumit të Vlorës dhe atë të Llogarasë, ku ndodhen edhe kullotat e shëndetshme biologjike. "Por, krahas këtyre, menytë e restoranteve janë pasuruar duke fituar mjaft elementë të rinj, që e kanë shtuar larminë e gatimeve", thotë specialisti Bujar Veshi. Mes tyre përfshihen frutat e detit, peshku i freskët me shijen e limonit bregdetar. Gjithashtu, në lokale të veçanta ofrohen byrekët tradicionalë me gjizë, spinaq e mish. Djathrat, kryesisht i deles dhe dhisë, serviren të freskëta, apo të stazhionuara. "Gjiza e deles, e freskët dhe kremoze, është mjaft e shijshme dhe e veçantë", thotë Gabriele, një shtetas italian, përfaqësues i një organizate të huaj, që po punon për një studim mbi prioritetet e zhvillimit në Qarkun e Vlorës . Mes pjatave karakteristike të zonës së Vlorës, veçohet tava me peshk, si dhe tava me ngjala, që pëlqehen mjaft nga turistët e huaj, që vijnë për të kaluar këtu ditë të këndshme. Tava me ngjala, që ofrohet si një specialitet në lokalet në afërsi të fshatit Nartë, preferohet të shoqërohet me verë të kuqe, apo të bardhë, e prodhuar nga vreshtat e këtij fshati, apo zona të tjera të rrethit. Në pijet e ofruara dhe që, janë pjesë e traditës së Vlorës, përfshihet dhe rakia e zakonshme, apo rakia e ëmbël, që ka një teknikë të vecantë përgatitjeje./a.s/
KOMENTE