English

Bashkia E Tiranës, Kundër Privatizimit Të Ish-Fushës Së Aviacionit

TIRANË 26 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/.- Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florjon Serjani , kundërshtoi sot vendimin e qeverisë për privatizimin e ish-Fushës së Aviacionit. Serjani në nje deklaratë për shtyp theksoi se, "Bashkia e Tiranës nuk ka kërkuar thjesht pistën për ta kthyer në park, po të gjithë territorin prej 190 mijë metrash katrorë, ku synojmë të ngremë shkollë, kopësht, çerdhe për komunitetin si edhe funksione të tjera sociale." Bashkia e Tiranës sqaron qytetarët se nuk ka asnjë vendim qeverie për kthimin e ish-fushës së aviacionit në pronësi të pushtetit vendor. "Ka vetëm një vendim të KRRTSH-së që e përcakton si zonë të gjelbër, por kjo s'do të thotë absolutisht asgjë dhe praktika tregon se një fakt i tillë nuk e pengon privatizimin", u shpreh Serjani. "Praktikisht", tha Serjani, "territori prej 5.5 hektarësh i parashikuar nga KRRTSH është vetëm një e treta, kurse dy të tretat e ish-Fushës së Aviacionit, do të kalojnë në privatizim". "Ne e kundërshtojmë këtë privatizim, si kundër interesave të komunitetit të zonës dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Tiranës dhe i bëjmë thirrje qeverisë, ta heqë nga lista e privatizimit", tha Florjon Serjani./ch/
KOMENTE