English

Jeremiç: 55 vende do njohin Kosovën. Opozita serbe: Beogradi ka humbur që në 1999-ën të drejtën për Kosovën

Beograd, 26 korrik, NOA – “55 vende janë shumë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe qeveria po bën përpjekje, që ky numër të zvogëlohet sa më shumë”.

Kështu ka pohuar, ministri Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Parlamentin e Serbisë, për Kosovën, dhe pikërisht mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i dha të drejtë Pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se shpallja e njëanshme nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

Ministri serb, Jeremiç ka deklaruar në këtë kontekst se Serbia do të bëjë të pamundurën për pengimin e njohjeve të reja të Pavarësisë së Kosovës, deri në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në shtator”.

Jeremiç siguroi deputetët serbë se autoritetet e Serbisë kanë tashmë si detyrë të sigurojnë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Serbisë, e cila sipas ministrit serb, “ do të hapë rrugën për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit, që do të bëjë të qartë se GJND-ja nuk u dha të drejtën për shkëputje shqiptarëve”, theksoi ministri i Jashtëm, i Serbisë, Vuk Jeremiç.

Por, opozita në këtë seancë të jashtëzakonshme të kërkuarnga qeveria serbe, e cilësoi një disfatë të plotë vendimin e GJND-së për Kosovën.

Ndërsa Parlamenti i Serbisë është duke debatuar për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe hapat e ardhshëm të Beogradit për, atë që qeveria serbe e quan si “mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial”, opozita e Serbisë duket se nuk do të japë pëlqimin e saj për këtë aksion ndaj Kosovës, të cilin opozita e quan si “aksion vetëvrasës” për Serbinë.

Ka qenë pikërisht, Partia Demokratike, e ish kryeministrit serb, Vojislav Koshtunica, që ka deklaruar se nuk do të mbështesë propozimin e qeverisë, pasi e konsideron se me këtë propozim do të vazhdohej politika qeveritare që përjetoi një “disfatë të plotë“ para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Deputeti i kësaj partie, Sllobodan Samarxhiç, tha ndër të tjera se “propozimi i qeverisë, për t’i paraqitur rezolutë për Kosovën, Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, paraqet “aksion vetëvrasës”, për vetë Serbinë”. Samarxhiç ka kukuar ndërkaq që Serbia të paditë të gjithë shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të Partisë Liberale Demokratike, Çedomir Jovanoviç, gjatë debatit ka ftuar qeverinë, që të hartojë një politikë të re shtetërore ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se partia e tij nuk do t'i mbështesë aktivitetet e propozuara të Qeverisë kundër Kosovës, pasi sipas Jovanoviç, “nuk është obligim i Qeverisë, që të mbrojë atë që është humbur përgjithmonë që në vitin 1999, dhe se “përgjithmonë ka humbur e drejta e Serbisë që të drejtojë jetën në Kosovë”.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme Qeveria e Serbisë i ka dorëzuar parlamentit serb, propozimin e masave, në të cilat thuhet se GJND-ja nuk ka ligjëruar shkëputjen e bazuar mbi baza etnike të Kosovës dhe se nuk është përgjigjur në pyetjen thelbësore për legjitimitetin e së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për recesion.

mit/NOA
KOMENTE