English

Serbi - Jeremiç: 55 Vende Janë Pranë Njohjes Së Pavarësisë Së Kosovës

BEOGRAD, 26 korrik /ATSH-Tanjug/ - Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç deklaroi sot para parlamentit serb se "55 vende të tjera janë shumë pranë njohjes së pavarësisë së Kosovës", duke shtuar se "qeveria serbe po bën gjithçka për ta penguar". "Situata në komunitetin ndërkombëtar për sa i përket opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është shumë e papërshtatshme për Serbinë. 55 vende janë shumë pranë njohjes së pavarësisë së Kosovës, por qeveria po bën gjithçka për ta reduktuar këtë numër sa më shumë të jetë e mundur", deklaroi Jeremiç në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, që është mbledhur me vetëm një çështje në axhendë, Kosovën. "Serbia ende beson se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës shkel ligjet ndërkombëtare dhe se shqiptarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të ndahen", theksoi Jeremiç. Në seancën e jashtëzakonshme, parlamenti serb do të diskutojë një propozim të qeverisë për marrjen e një vendimi mbi opinionin e GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe aktivitetet e ardhshme të Serbisë për këtë çështje. Më datë 22 korrik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se deklarata për pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt në vitin 2008 nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe as kuadrin kushtetues. Gjashtëdhjetë e nëntë shtete, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës. /e.v/
KOMENTE