English

Gjilan, konfiskohen dhe asgjësohen mbi 6000 bimë Cannabis Sattiva, në kërkim kultivuesi

Mbi 6000 bimë narkotike Cannabis Sattiva dhe Marijuanë konfiskohen dhe asgjësohen në një fshat të Gjilanit

Gjilan, 27 korrik, NOA - Në një aksion policor të nisur në orët e para të mëngjesit oficerët e hetimit kundër trafikimit të substancave narkotike në policinë e Kosovës konfiskuan dhe asgjësuan mbi 6000 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva në një fshat të Gjilanit.

Policia bën të ditur se për të mbërritur në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike, ka shfrytëzuar rrugët operative për vjeljen e informacioneve.

Nga një informatë e panjohur policia e Kosovës kishte mësuar për bimët narkotike të mbjella në një fshat të Gjilanit.

Oficerët e hetimit dhe luftës ndaj narkotikëve pasi kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, kanë zbuluar se bimët narkotike Cannabis Sattiva dhe Marijuanë ishin kultivuar në dy ara të mbjella me misër në fshatin Gumnishtë të Gjilanit.

Në prani të prokurorit të çështjes dhe policisë janë shkulur nga vendi ku ishin kultivuar dhe janë shkatërruar plot 6123 bimë narkotike, lartësia e të cilave kishte arritur prej 60 deri në 150 cm.

Policia deri tani ka identifikuar një të dyshuar, dhe e ka shpallur në kërkim, pasi dyshon se është kultivuesi i bimëve narkotike.

Policia e Kosovës nuk e bën të ditur emrin e të dyshuarit për arsye hetimi.

mit/NOA
KOMENTE