English

Kosovë: Kuvendi Mbyll Punimet Per Sezonin E Veres

-Miratohet në parim Strategjia per privatizimin e Post -Telekomit të Kosovës- PRISHTINË, 27 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Republikës së Kosovës mbylli sot punimet e tij për sezonin e verës, mbasi miratoi në parim me votat e shumicës Propozim - Strategjinë e Qeverisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK). Në këtë seancë plenare, Qeveria është ngarkuar që vërejtjet dhe propozimet e bëra t'i përfshijë në dokumentin e Strategjisë për ta rikthyer atë për miratim në Kuvend, në shtator, kur do të rinisë puna. Kryeministri Hashim Thaçi duke prezantuar Strategjinë, tha se me privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, do të liberalizohet tregu i Telekomit në Kosovë dhe do të ofrohen çmime më të ulëta për shërbimet e qytetarëve. "Qeveria vlerëson se tani është koha për futjen e kapitalit privat në PTK", tha ai. Gjithashtu, Kryeministri Thaçi iu përgjigj shqetësimit të shprehur nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të PTK-së në protestën e një dite më parë para Kuvendit të Kosovës, me kërkesë që të ndalet procesi i privatizimit të kësaj kompanie publike. "Ne si Qeveri jemi të përkushtuar që punëtorët e PTK-së të mos dëmtohen nga ky proces dhe për këtë e kanë garancinë time te plote personalisht dhe të Qeverisë së Kosovës", tha kryeministri Thaçi. Ndërkohë, tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë me mospjesëmarrjen në seancë kundërshtuan privatizimin e PTK-së, duke e vlerësuar si humbje për vendin. Në një konferencë shtypi, përfaqësues të opozitës kërkuan që, ky proces të jetë transparent dhe të zhvillohet në bazë të një legjislacioni të kompletuar. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pritet të japë nesër një konferencë shtypi, ku do të prezantojë bilancin e rezultateve të Kuvendit deri më tani. /a.m//a.ke/
KOMENTE