English

John L. Withers Ii, Një Model I Kurajos Dhe Integritetit

TIRANE 29 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- John L. Withers II, i konfirmuar nga Senati si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri më 28 qershor 2007, u konsiderua nga Rrjetit për Fuqizimin e Grave Shqiptare (AWEN), "një model i kurajos dhe integritetit". Grupi i organizatave të grave organizoi sot një ceremoni përshëndetëse për nder të kontributit të ambasdorit Withers, me rastin e përfundimit të misionit të tij në vendin tonë. Në mungesë të pranisë së z. Withers në këtë aktivitet për arsye shëndetësore, Drejtoresha e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, citoi letrën e falenderimit dhe mirënjohjes ndaj tij, ku thuhet se "përfaqësuesit e organizatave të mbrojtes së të drejtave të grave dhe fëmijëve, si pjesë e të drejtave të njeriut, ju falenderojmë për vlerat e shkëlqyera që treguat në mbështjen e të drejtave të njeriut". Përmes kësaj letre vlerësohet roli i z. Withers dhe popullit amerikan në drejtim të forcimit të demokracisë dhe fjalës së lirë në Shqipëri. "Mesazhet tuaja për demokracinë dhe fjalën e lirë kanë qënë një ndihmesë e pamatshme për ne që punojmë në një fushë të rëndësishme. Me mbështetjen tuaj, ne rritëm numrin e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe numrin e njerëzve që i besojnë fjalës së lirë". Duke përcjellë keqardhjen për mosprezencën e z. Withers në këtë aktivitet, zv/ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Michael Scandolo, përcolli mesazhin e tij përmes të cilit përshëndet rolin dhe punën e organizatave në promovimin e shembullit pozitiv në shoqëri. "Në pamundësi për t'u gjendur mes jush, shpreh kënaqësinë e sinqertë që kam punaur me secilën prej përfaqësueseve të organzatave", shprehet Withers në mesazhin e tij, ku thekson rolin e gruas në forcimin e demokracisë së vendit. "Një shoqëri demokratike nuk e ka luksin që të mos përdorë plotësisht kontributin e shumicës së popullsisë së saj. Prandaj SHBA-të mbështesin fuqishëm përpjekjet tuaja për të arritur një pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të grave në politikë dhe jetën ekonomike të Shqipërisë". -John L. Withers II, ambasadori i 12-të në Shqipëri- Z. Withers, nga viti 2007 ka përfaqësuar në Shqipëri shtetin më të fuqishëm në botë. Para marrjes së këtij emërimi, dr. Withers ka shërbyer nga viti 2003-2005 si Drejtor i Qendrës së Operacioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe nga viti 2001-2002, si Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Veriore e Qendrore. Nga viti 1997-2000, Ambasadori Withers ka qenë Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Riga, Letoni. Ai ka shërbyer si Ndihmës Special i Zyrës së Zëvendës Sekretarit të Shtetit nga viti 1993-1996. Ambasadori Withers e filloi karrierën e tij në Shërbimin Diplomatik në vitin 1984. Ai ka shërbyer në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Hagë si zyrtar politik nga viti 1985 -1986; si Zyrtar Përgjegjës në Zyrën e Çështjevë Kineze nga viti 1986 - 1988; si Zyrtar Politik në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Lagos, Nigeri, nga viti 1988 -1990. John Withers ka shërbyer si Zyrtar Politik në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Moskë nga viti 1991 deri në 1993. Për një periudhë të shkurtër kohe, në vitin 1993, ai ka shërbyer si zyrtar përgjegjës për Irlandën dhe Islandën në Zyrën e Çështjeve të Europës Veriore. Ambasadori Withers ka gradën e Doktorit të Shkencave (PhD) në Historinë Moderne të Kinës nga Universiteti i Yale (Jeil), një gradë Master në Studime të Azisë Lindore nga Universiteti i McGill, dhe është diplomuar për histori në Universitetin e Harvardit. Ai ka përfunduar gjithashtu një kurs kërkimor të nivelit pasuniversitar në Universitetin e Nanjing, në Nanjing, Kinë. Ai ka studiuar gjuhën kineze, ruse, holandeze, si dhe frëngjisht e letonisht. John Withers është i biri i ish-Drejtorit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), John L. Withers, Sr. dhe ka kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë së tij në Laos, Tailand, Burma, Kore, Etiopi dhe Kenia. Ai është i martuar me Maryruth Coleman, e cila shërben aktualisht si Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Lubjanë, Slloveni. -Misioni i SHBA në Shqipëri Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Kjo ambasadë u çel më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë nga Ambasadori i SHBA. Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991. Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit që rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha "marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare.të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve". Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA. që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit. Përgjatë viteve ambasada mbron dhe promovon interesat e SHBA. dhe zhvillon marrëdhënie me Republikën e Shqipërsië nëpërmjet kontaktit me qeverinë shqiptare si edhe me bashkësitë e biznesit, të punës, medias, qytetare, akademike, ushtarake, arsimore, të arteve e kulturës, si edhe me popullin në përgjithësi. Fushat me interes të përbashkët përfshijnë zhvillimin e një arkitekture të re të sigurisë europiane, përfshi zgjerimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), luftën kundër terrorizmit, si edhe forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit në gjithë Europën Juglindore. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po punojnë së bashku edhe për të zhvilluar lidhje të forta tregtie dhe investimesh mes dy vendeve dhe për të lehtësuar bashkëpunim më të madh mbi çështje rajonale politike, të zbatimit të ligjit, ekonomike dhe mjedisore. Pak ditë më pare Presidenti Barack Obama njoftoi se Alexander Arvizu do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Arvizu është diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror dhe përbën ambasadorin e 13-të amerikan në Shqipëri. Paraardhësit e tij janë: Ulysses Grant-Smith (1922), Charles C. Hart (1925), Herman Bernstein (1930), Post Wheeler (1933), Hugh G. Grant (1935), William E. Ryerson (1991), Joseph E. Lake (1994), Marisa R. Lino (1996), Joseph Limprecht (1999), James F. Jeffrey (2002), Marcie B. Ries (2004). /k.sh/
KOMENTE