English

Koreja komuniste, reprezalje dhe 1 ditë në këmbë për ekipin humbës të Botërorit

Phenian, 29 korrik, NOA – Gjithçka e kishim dëgjuar pas kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”, që nga largime të bujshme trajnerësh si rasti i Maradonës, apo ndëshkime të llojeve të tjera ndaj lojtarëve që nuk u paraqitën siç duhet.

Por askujt nuk i kishte vajtur në mendje se çfarë e priste ekipin e kombëtares së Koresë së Veriut pas kthimit në atdhe.

Kështu, pas 3 humbjeve të shënuara prej tij në Kupën e Botës, veçanërisht ajo turpëruese me rezultatin 7-0 ndaj Portugalisë, ky ekip është ndëshkuar me “çnderim publik për papërgjegjshmërinë e treguar dhe mosndjekjen e urdhërave të liderit Kim Jong-il".

Vendi komunist, duket se nuk e ka kapërdirë dot atë që e ka quajtur turp para botës dhe Perëndimit në veçanti, prandaj ka vendosur t’i lërë për një ditë të tërë më këmbë pjesëtarët e Kombëtares, në shkallët e Pallatit Popullor të Kulturës

Ndërsa ish-trajneri Kim Jong-Hun thuhet se është shkarkuar nga detyra dhe përjashtuar nga Partia Komuniste, për t’u dërguar më tej të punojë në një firmë ndërtimi në Phenian në formë ndëshkimi.

Por duket se ndëshkimi publik nuk përfundoi me kaq, pasi të gjithë lojtarët e Kombëtares i janë nënshtruar më pas një reprezalje ideologjike për 6 orë rresht në një mbledhje të posaçme të aparatit komunist, shoqëruar me video dhe pamje të fotografuara për gabimet e çdo lojtari dhe duke i kritikuar rëndë në aspektin propagandistik dhe ideologjik secilin, se gjoja kanë turpëruar komunizmin korean në sytë e perëndimit reaksionar që këtë priste.

n.e/NOA

KOMENTE