English

Meta-Crvenkovski: Stabiliteti i Maqedonisë, i rëndësishëm për rajonin

Shkup, 29 korrik, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua në Shkup me kryetarin e LSDM, Partia Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Crvenkovski.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, zhvillimeve në rajon dhe mbi proceset integruese euro-atlantike.

Meta, duke vënë në dukje nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shkallën në rritje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, theksoi se Shqipëria ka vlerësuar gjithnjë se stabiliteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Nga ana tjetwr, Meta dhe Crvenkovski shprehën bindjen e përbashkët se opozita si një institucion i rëndësishëm i jetës politike në vend, mbart përgjegjësinë e saj për zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin e vendit, për marrëdhëniet me fqinjët, si dhe për objektivat strategjike të proceseve integruese.

Në këtë kuadër u theksua gjithashtu se është përgjegjësi e të gjitha institucioneve dhe faktorëve relevantë, të japin kontributin e tyre në dobi të ecurisë së reformave, me qëllim që fryma e zhvillimeve të brendshme në vendet tona të mos bëhet pengesë për proceset integruese.

Gjatë takimit, u shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet në rajon, ku dy bashkë-biseduesit ndanë vlerësimin se siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim dhe se një rajon në paqe, në mirëkuptim dhe bashkëpunim në rritje, ofron garanci për perspektivat e përbashkëta integruese euro-atlantike.

n.e/NOA

KOMENTE