English

Ministria E Arsimit: Tekstet Shkollore, Shitja Në Shkolla

TIRANE, 30 Korrik/ATSH/-Tekstet shkollore, ndryshe nga një vit më parë, kur shiteshin në librari, këtë fund gushti do të tregtohen në shkolla. Librat për nxënësit e arsimit parauniversitar do të fillojnë të shpërndahen pas datës 25 gusht. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, tekstet do të vazhdojnë të shpërndahen deri më datën 15 shtator, nëntë ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor, më 6 shtator. Shitja e librave do të bëhet sipas skemës së përcaktuar, ku secila shkollë do të ofrojë për nxënësit të gjitha alternativat e përzgjedhura për nisjen e procesit mësimor. Shitja e librave në shkollë do të lehtësojë pajisjen e nxënësve në kohë me libra dhe do të shmang disa elemente korruptive që u vunë re gjatë praktikës së viteve të fundit. Edhe për vitin e ardhshëm shkollor për një sërë kategorish do të aplikohet skema për subvencionimin e çmimit të librave. Masa e subvencionimit do të jetë e kategorizuar në varësi të familjeve. Subvencionimi maksimal në masën 100% do të akordohet për të gjitha familjet që kanë nivel të dobët të ardhura. Në këtë grup do të bëjnë pjesë kategoritë që trajtohen me asistencë apo me ndihma të tjera nga shteti. Rimbursimi maksimal do të jetë edhe për kategoritë e nxënësve të verbër, ata paraplegjikë, fëmijët e policëve të vrarë në detyrë si dhe nxënësit që hasen me probleme të rënda sociale në familje. Kjo kategori nxënësish një vit më parë përfituan vetëm 50% të masës së subvencionit të teksteve. Që të mundësojnë thithjen e subvencionit të vendosur nga MASH-i, nxënësit që përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave faturën e teksteve të blera. Gjithashtu, ata duhet të dorëzojnë edhe raport mjekësor apo vërtetim nga institucionet përkatëse, që fakton statusin e jetimit apo aftësinë e kufizuar nga e cila vuajnë. Po kështu, 100% do të rimbursohen edhe librat e nxënësve nga shtresa minoritare. Në skemën e rimbursimit për këtë vit është shtuar edhe një element i ri për familjet që paga e kryefamiljarit është nën 30 mijë lekë. Tekstet për fëmijët e tyre do të subvencionohen në masën 50%./e.gj//a.ke/
KOMENTE