English

Afganistan - Të Paktën 70 Të Vdekur Nga Përmbytjet Në Lindje

KABUL, 31 korrik /ATSH-AFP/ - Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në lindje të Afganistanit kanë shkaktuar 70 të vdekur dhe kanë prekur mijëra persona ditët e fundit, njoftoi sot AFP-në shefi i agjencisë afgane të administrimit të katastrofave natyrore. "Sipas të dhënave të para të zyrave tona të provincës, rreth 70 persona kanë gjetur vdekjen dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Numërohen më tepër se 1 000 familje të prekura dhe shifrat mund të rriten", deklaroi Matin Edrok. Ekipet e kërkimit vazhdojnë edhe sot përpjekjet për të hyrë në zonat e prekura nga përmbytjet. Provincat Kapisa, Nangarhar, Laghman,Kunar, Logar dhe Ghazni janë më të prekurat. Dje, forcat ndërkombëtare kanë njoftuar se kanë evakuuar më tepër se 2 000 banorë në provincat Nangarhar dhe Kunar. Nga ana tjetër e kufirit, në veriperëndim të Pakistanit, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të musoneve kanë shkaktuar më tepër se 400 të vdekur dhe kanë prekur më tepër se 600 000 persona brenda tri ditëve. /I.Pu.
KOMENTE