English

Gaçi: Berisha të reagojë për pasurinë e Priftit

Tiranë, 31 korrik, NOA – Partia Socialiste ka kërkuar sot që kryeministri Sali Bersha të flasë për pasurinë e ministrit të Ekonomisë Dritan Prifit. Duke e cilësuar si një rast të pastër korruptiv deputeti i PS-së, Artan Gaçi u shpreh se qeveria duhet të bëjë transparencë dhe për korrupsionin e ministrave të kabinetit.

“Heshtja e Sali Berishës për korrupsionin e Dritan Priftit tregon qartë se korrupsioni është kthyer në arsyen e vetme të ekzistencës së këtij pushteti të grabitur”, u shpreh Gaçi.

Ai ka akuzuar dhe familjen e kryeministrit duke u shprehur se “djali e vajza e kryeministrit fitojnë qindra mijëra euro nga puna si sekserë të pushtetit të të atit, kurse ministrat nën sqetullën e Sali Berishës fitojnë pasuri përrallore në një kohë krize ekonomike”.

Nga ana tjetër, Gaçi e ka cilësuar refuzimin e Berishës për tu prononcuar për pasurinë e Priftit si prova më e dukshme e faktit se “korrupsioni i të gjithë familjarëve e kushërinjve të këtij pushteti zhvillohet nën bekimin dhe patronazhin e kryeministrit”.

Në këtë linjë ai ka shtuar se “vetëm në Shqipërinë e Sali Berishës dhe familjes së tij, ministrat, djemtë, vajzat e kushërinjtë e ministrave dhe kryeministrit mund të vjedhin e të zhvasin pasurinë e një populli të tërë pa u hyrë gjemb në këmbë, të sigurt se gëzojnë mbështetjen e plotë të krye të korruptuarit të këtij vendi, Sali Berishës”.

Nisur nga të gjitha këto deputeti i PS-së ka deklaruar se veç hapjes së kutive të votimit mazhoranca duhet të bëjë dhe transparencën e pavarësisë dhe privatizimeve.

NOA

KOMENTE