English

Gjermania Përkujton 21 Viktimat E "Love Parade"

DUISBURG, 31 korrik /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane Angela Merkel i ndërpreu pushimet për të marrë pjesë në një shërbesë fetare të zhvilluar sot në kujtim të 21 personave të vrarë përpara një jave gjatë një rrëmuje vdekjeprurëse në Love Parade në Duisburg. Ceremonia fetare në kishën e Shpëtimtarit, në prani të shumë personaliteteve, ndër të cilët presidenti Christian Wulff, është transmetuar në mesditë në televizion si dhe në ekrane gjigande të kishave të tjera të qytetit dhe në stadium, ku janë mbledhur mijëra persona për ta ndjekur atë. Flamujt ishin në gjysmështizë dhe një det qirinjsh ndriçonin mes luleve të shumta, pranë daljes nga tuneli ku ndodhi tragjedia dhe që ishte hyrja e vetme për në terrenin ku u zhvillua Love Parade. Vërshimi i mijëra personave të cilët, nën ritmet e muzikës rave po përpiqeshin të shkonin në vendin e festivalit të muzikës tekno, përfundoi me vdekjen e 21 personave dhe plagosjen e më tepër se 500 të tjerëve. Zemërimi po rritet kundër bashkisë dhe organizatorëve të festivalit, të akuzuar se kanë neglizhuar masat e sigurisë ndërkohë që më tepër se një milion persona pritej të merrnin pjesë në festë. Në një raport paraprak të bërë publik të mërkurën, autoritetet e landit të Renani-Vestfalia Veriore ngarkuan me faj organizatorin e Love Parade dhe theksuan se masat e sigurisë ishin marrë në bazë të llogaritjeve të gabuara. Kryetari i bashkisë së Duisburgut, Adolf Sauerland, i cili sipas shtypit, është vendosur nën mbrojtjen policore, u shpreh i gatshëm të qëndrojë në detyrë të paktën deri sa të zbardhen shkaqet e katastrofës. Por, për shkak të zemërimit të shumë banorëve, ai bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. /I.Pu.
KOMENTE