English

Pdi: Prezantuam Dosjen E Genocidit Çam Tek Kongresmenet Amerikane

TIRANË, 31 Korrik/ATSH, Anila Struga/.- Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), Tahir Muhedini pas një vizite të zhvilluar së fundi në SHBA, tha sot se "mori mbështetjen e politikbërësve amerikanë për inicimin e një rezolute në Kongresin amerikan për çështjen çame". Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PDI-së tha se në takimet me zyrtarët amerikanë, delegacioni i PDI-së duke shprehur besimin tek SHBA si përkrahësi më i madh i të drejtave dhe lirive të njeriut, prezantoi një dosje informative mbi genocidin e ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare çame bashkë me një tablo të situatës aktuale. "Kjo çështje u prezantua si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë greke, të djeshme dhe të sotme. Politikbërësit amerikanë e pritën me interes këtë çështje, duke shprehur keqardhjen për këtë plagë të pambyllur të historisë. Pas bisedave, disa prej kongresmenëve morën përsipër që shumë shpejt për këtë çështje të merret në pyetje ambasadori i Greqisë në SHBA dhe kjo t'i transmetohet dhe ambasadorit amerikan në Greqi. Disa prej kongresmenëve konfirmuan vullnetin pozitiv për të inicuar një rezolutë për këtë çështje në Kongresin amerikan", bëri të ditur kreu i PDI-së. Gjithashtu, Muhedini tha se disa nga zyrtarët amerikanë u angazhuan që vitin tjetër, t'a fusin Shqipërinë në axhendën e një vizite në rajon, me qëllim vendosjen e kontakteve direkte me komunitetin çam dhe njohjen e thelluar me problemin e tyre. Vizita e delegacionit të PDI-së në SHBA është në vazhdën e lëvizjeve të vazhdueshme që kjo parti po bën për ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare duke ia aneksuar atë Greqisë. Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve, përmes grabitjes së tokës, përjashtimit të popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë e deri në masakrat e përgjakshme. /n.m/
KOMENTE