English

Berisha: Shba, Partner Strategjik I Shqipërisë

- Kryeministri Berisha priti Ambasadorin e SHBA, John L. Withers II, me rastin e përfundimit të mandatit të tij - TIRANË, 2 Gusht/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi sot me ambasadorin e SHBA në Tiranë, John L. Withers II, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë priti sot në një takim ambasadorin Withers, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador i SHBA në Shqipëri. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA, si miku, aleati dhe partneri strategjik i shqiptarëve, të Qeverisë Amerikane, por dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Berisha e cilësoi anëtarësimin në NATO si një moment historik dhe si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë. Ndërsa, Ambasadori Withers tha se largohet nga vendi ynë i lumtur, pasi sipas tij, "Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë". Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të konsoliduar më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. John L. Withers u konfirmua nga Senati si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri më 28 qershor 2007. Ambasadori Withers e ka filluar karrierën e tij në Shërbimin Diplomatik në vitin 1984./m.m//a.ke/
KOMENTE