English

Bullgaria, E Përkushtuar Në Politikën E Saj Konstante Shtetërore Për Kosovën

- Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu takohet me ambasadorin i Republikës së Bullgarisë në Prishtinë, Krasimir Tulechki, me rastin e largimit të tij- PRISHTINË, 2 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Bullgaria është e përkushtuar në politikën e saj konstante shtetërore për Kosovën, tha sot ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Prishtinë, Krasimir Tulechki, i cili u prit në një takim lamtumire nga Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu. Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se, Presidenti Sejdiu vlerësoi ambasadorin Tulechki për angazhimin, punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kohës së shërbimit të tij në Kosovë. Po ashtu, Presidenti Sejdiu theksoi kontributin shumë domethënës dhe ndihmën e pakursyer që Republika e Bullgarisë ka dhënë dhe po jep për Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, Presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës është e angazhuar në vazhdimësi që të ketë marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet fqinje dhe me të gjitha vendet e rajonit. Ai ritheksoi bashkëpunimin e mirë me Republikën e Bullgarisë dhe u angazhua për thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat. Ndërsa ambasadori Tulechki, pasi e quajti një periudhë shumë të rëndësishme shërbimin e tij si ambasador në Kosove, ku pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha institucionet e vendit, theksoi se Bullgaria është e përkushtuar në politikën e saj konstante shtetërore për Kosovën. /a.ke/
KOMENTE