English

Korçë: Në Përfundim Punimet E Lotit Të Parë Të Superstradës Qafë Plloçë-Qukës

KORÇË, 2 gusht /ATSH-Behar Fejzulla/ - Punimet për ndërtimin e lotit të parë të segmentit të superstradës Qafë Plloçë-Qukës, që shkurton me 30 minuta kohën e përshkimit të itinerarit drejt qytetit të Korçës, janë afër përfundimit. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Nacionale, Korçë, Kreshnik Zgjani, deri tani ka përfunduar hapja e trasesë 12.5 metra e gjerë, për krejt lotin e parë në një gjatësi 3.2 km, janë ndërtuar veprat e artit, ku përfshihen rreth 3 km mure mbajtëse, disa ura të vogla e tombino si dhe një urë e madhe 22 metra e gjatë dhe janë hedhur shtresat e forta të çakëllit dhe stabilizanti. Në fund të kësaj jave parashikohet të fillojë dhe asfaltimi i këtij loti në krejt gjatësinë e tij. Po kështu, ka përfunduar tenderi dhe pritet që në fillim të muajit tjetër të nisi puna edhe në dy lotet e tjera. Banorët e kësaj zone që përfshin fshatra të rretheve Pogradec dhe Librazhd thonë se ndërtimi i kësaj rruge është lajmi më i mirë për ta në këto 50 vjet. Ndërtimi i segmentit të superstradës Qafë Plloçë - Qukës financohet nga buxheti i shtetit me 424.5 milion lekë. Kjo superstradë do të jetë 40 km e gjatë dhe është vazhdim i superstradës Korçë- Qafë Plloçë, që përfundoi në nëntor të vitit të kaluar e financuar po nga buxheti i shtetit me rreth 400 milion lekë. Ndryshimi i drejtimit të kësaj superstrade, nga Qafë Plloça në Qukës shkurton me 25 kilometra rrugën Korçë-Elbasan, krahasuar me rrugën e vjetër Korçë-Pogradec-Qafë Thanë-Elbasan./ch/
KOMENTE