English

Meta: Bashkëpunim Ndërinstitucional Për Mosbllokim Të Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 2 Gusht /ATSH- A.Gegvataj/. - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi sot gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se "në marrëdhëniet mes institucioneve duhet të prevalojë fryma e bashkëpunimit dhe e respektit reciprok dhe jo ajo e konfliktit". Duke iu referuar debateve të fundit mes Presidencës dhe maxhorancës për Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Meta theksoi se "ekzistojnë të gjitha instrumentet për të verifikuar kushtetueshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi nga ana e Presidentit". Sipas tij, duhet bashkëpunim dhe përgjegjshëri maksimale nga të gjitha institucionet, që të mos ketë bllokim të Gjykatës Kushtetuese. Meta nënvizoi se "LSI nuk synon të bëhet palë me askënd, por kërkon vetëm respektim të institucioneve". Ndërsa në lidhje me nevojën e hartimit të një ligji për Presidentin, Meta tha se "në bazë të Kushtetutës, çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik". "Nuk mund të shënohet një ligj organik për të cënuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër, pra nga ana e Kuvendit, por çdo ligj organik duhet bërë në frymën e bashkëpunimi dhe të synojë respektimin e kushtetutës", shtoi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Lidhur me mosmiratimin në Kuvend të disa prej projektligjeve më të rëndësishme nga opozita, zv.kryeministri Meta tha se "përgjegjësia kryesore i takon lidershipit të opozitës". "Një opozitë që punon për integrimin europian të vëndit nuk mund të bëhet pengesë për miratimin e ligjeve që janë një kërkesë e në përputhje të plotë edhe me legjislacionin e BE-së", nënvizoi Meta. Sipas tij, "qëndrimi i opozitës, duke kushtëzuar kode apo ligje të caktuara, siç është gjykata administrative, tregojnë mungesë përgjegjshmërie pasi kjo është në interes të qytetarëve dhe nuk cënon qeverinë"./s.s./
KOMENTE