English

Panairi "Ulqin 2010", Mustafaj: Kur Libri I Sherben Publikut

TIRANË, 2 Gusht/ ATSH /- Duket qartë se nga periudha kur në kufirin Mali i Zi -Shqipëri nuk lejohej të kalonte qoftë dhe një libër shqip kanë kaluar shumë kohë dhe këtë e vërteton më së miri panairi i 10 të i librit Ulqini 2010 , që u çel në 28 korrik dhe që do të qëndrojë i hapur deri në 4 gusht. Të paktën 20 mijë tituj librash, nga të cilat mbi 500 tituj të rinj, u ekspozuan në Panairin e Librit "Ulqini 2010" sipas një tradite bujare të vijëzuar mirë në Ulqin, një qytet bregdetar i Republikës së Malit të Zi, i banuar nga 40 mijë banorë, shumica shqiptarë, po ku jetojnë edhe malazezë, boshnjakë dhe romë. "Fakti që ka arritur deri në edicionin e 10-të është tregues i vullnetit të organizatorëve për të ndërmarrë një aktivitet të tillë, i cili është një aktivitet i madh ku libri vihet në qëndër të publikut vendas, turistëve dhe për më tepër atyre që jetojnë në disaporë", thotë një intervistë për ATSH-në, shkrimtari dhe ish- politikani i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj, vepra e të cilit u promovua ditën e dytë të këtij panairi. Duke u shprehur i kënaqur për këtë organizim të suksesshëm, Mustafaj e cilësoi këtë panair si një "adresë të librit shqiptar gjatë viteve". I pyetur nëse integrimi kulturor i paraprin integrimit politik Mustafaj thotë se "në rastin e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, ne mund të flasim për një etapë që është kapërcyer tashmë". Sipas tij, "integrimi është një proçes më i gjatë, por kultura e paraprin sepse procesi i integrimit është në vazhdimësi, dhe Mali i Zi është një vend kandidat për në BE, pra është një vend që po ecën në këtë rrugë". Duke folur për marrëdhëniet e politikës me shkrimtarët ai pohon se "historia e njerëzimit nuk është dhe nuk mund të mendohet jashtë politikës dhe shkrimtarët janë njerëz të lidhur organikisht me historinë e vendit të tyre". Sipas tij, "përderisa shkrimtarët e kanë këtë sindrom brenda vetes politika përfiton nga kjo prirje e shkrimtarëve". Shkrimtari dhe ish- politikani flet edhe për letërsinë në ditët e sotme, duke konsideruar se ka një superprodhim librash. "Duket sikur ka një superprodhim të librave. Ende nuk është ambient botimi i sistemuar me rregulla të rrepta të botimit, por gjithsesi kjo lloj sasie do të bëjë të mundur edhe seleksionimin e një letërsie sa më të mirë", shprehet Mustafaj. Ai thotë se, "ka disa poetë interesant dhe shumë më të mirë në pararojë të shkrimtarëve të pas viteve '90, por nuk ka ende ndonjë romancier të mjaftueshëm", duke shtuar se "romani kërkon edhe një eksperiencë dhe njohuri të posaçme". Mustafaj vlerëson gjithashtu se "të njëjtat sindroma ka gjithë letërsia kudo që është, qoftë ajo në Tiranë, Prishtinë, Mal të Zi, dhe në këtë kuptim, nga pikëpamja e problemeve me të cilat ballafaqohemi, nuk ka diferencim një realitet shqiptar Tiranë, Tetovë, Prishtinë, etj". Në ditën e dytë të panairit, në prani të një auditori me shkrimtarë dhe botues të shumtë, u promovua vepra e të ftuarit special të këtij edicioni, shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj, botuar nga shtëpia botuese Toena. Kritiku i njohur, Josif Papagjoni, i bëri një analizë veprës letrare të Mustafaj, duke nënvizuar veçantinë e stilit të tij narrativ, jo vetëm në romane, por kryesisht në gjithë veprën e tij, ku përfshihen dhe esse. Përmendet këtu romani "Daullja prej letre", "Vera pa kthim", "Fletorja rezervat", "Legjendja e lindjes sime". Vepra e Mustafaj, cilësoi kritiku i njohur, dallohet për metaforën, ashtu si dhe për groteskun, një mjet shumë i gjetur nga autori, duke pasur parasysh se edhe vetë jeta në ditët që jetojmë është e mbushur me grotesk. Sipas tij, Mustafaj dallohet për një stil të ri të të shkruarit, duke krijuar kështu një individualitet në letërsinë shqipe./s.d/s.s../
KOMENTE