English

Syzet E Diellit; Mode Dhe Mbrojtje Nga Rrezet E Diellit

TIRANË, 2 Gusht/ATSH-Eriola Çuko/ - Syzet e diellit, që kanë filluar të përdoren prej fillimit të shek. XX, më tepër sesa një tendencë, janë mbrojtëse të syve nga dëmtimet që mund të shkaktojë rrezatimi i diellit. Ndaj, përdorimi i tyre është i domosdoshëm për ruajtjen e syve gjatë gjithë kohës së ekspozimit ndaj rrezeve të diellit, nga lindja deri në perëndim të tij, qoftë në verë, apo në dimër, thonë mjekët okulistë. Por syzet duhet të kenë dhe cilësi të lartë, krahas formës që evoluon me tendencat e modës. Veç kujdesit për dizajnin e syzeve të diellit, përdoruesit duhet të jenë të informuar dhe nëse ka lente mbrojtëse në shtresat e tyre, këshillojnë specialistët. Kualiteti i xhamit duhet të jetë prioritet, pasi përdorimi i syzeve me xhama të këqinj mund të shkaktojë në sy dëme të shumëfishta. Kjo për shkak se xhamat e errët nxisin rritjen e bebëzes së syri, që, në këtë rast, i ekspozohet ndikimeve të dëmshme. Po ashtu, cilësia e dobët e xhamit të syzeve ka ndikim të dëmshëm edhe në të parit dhe funksionimin e syrit, sepse lentet e tij nuk i kanë shtresat e duhura mbrojtëse që të pengojnë rrezet e dëmshme për të arritur në sy. Përdorimi i syzeve të diellit duhet të fillojë gjatë fëmijërisë. Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prekurit nga dëmtimi i syrit, për shkak se retina e syrit është shumë e ndjeshme, sidomos në stinën e verës, por dhe sepse harxhojnë më shumë kohë në diell sesa të rriturit. Studimet botërore tregojnë se një në pesë është raporti i fëmijëve, të cilët mund të kthehen në miopë pas 5 vjetësh, në rast se nuk përdorin syze dielli në stinën e pranverës dhe të verës. Rreth 20 për qind e fëmijëve, të cilët janë në moshë shkollore kanë vështirësi në të lexuar dhe pjesa më e madhe e tyre kanë treguar pakujdesi ndaj diellit. Mjekët okulistë thonë se rrezet e diellit, veçanërisht ato UV, mund të shkaktojnë një sërë problemesh në sy, të tilla si katarakti (perdja), që shkaktohet në përgjithësi nga mosha, fotokeraktis dhe ndryshimet korneale. Këto sëmundje mund të shkaktojnë pamje të turbullt, irritim, skuqje, lotim, humbje të përkohshme të shikimit dhe në disa raste edhe verbim. Mosmbajtja e syzeve të diellit gjatë stinës së verës, kur sasia e pluhurit është shumë e madhe në veçanti në qytete, rrit edhe mundësinë për të marrë infeksione të dëmshme, që mund të sjellin probleme deri në humbje të shikimit. Sipas mjekëve okulistë, në momentin e blerjes së syzeve të diellit duhet të kontrollohet etiketa e tyre, që duhet të mbajë edhe treguesin e fuqisë filtruese në një shkallë nga zero deri në katër, të cilët tregojnë shkallën e fuqisë filtruese të rrezeve të diellit. /s.s./
KOMENTE