Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Arben Mevlani: Ju tregoj prapaskenat e spikerit të lajmeve
English

Arben Mevlani: Ju tregoj prapaskenat e spikerit të lajmeve

INTERVISTA/ Flet aktori, folësi i lajmeve Arben Mevlani. Pohon se spektakli më emocionues ishte ai në ditën e jetimëve. Kujton se në vitin 1994 nga 500 konkurrentë fituan dy folës. Veçon se “në vitin 1997, lajmet në TVSH i dhashë me kollare dhe këmishë të marra borxh”

Albert Zholi

Dhe pse jam shkëmbyer shumë herë, me Arben Mevlanin s’isha ulur kurrë për bisedë. Ndoshta s’na kish lidhur puna. Ka vite që ai është një ndër folësat më të spikatur të medias vizive shqiptare, që deri diku të bën që të mbash distancë. Por njohja pas një aktiviteti për fëmijët jetimë, bëri që unë të njoh një njeri të qetë, të dashur, të ndjeshëm, të sinqertë. Biseda me të rrodhi natyrshëm, sikur të kishim vite që njiheshim. Jeta e tij i ngjan një tregimi të gjatë artistik, ku janë të gërshetuara në një, dëshira për skenën si aktor, etja për të mos ju larguar ekranit. Skenë-ekran janë dueti magjik i jetës së tij, pas daljes nga bangot e shkollës. Në jetë ai çdo gjë e ka arritur vetë, me punë, me këmbëngulje, duke studiuar dhe respektuar veten dhe punën. Në fjalorin e tij nuk egzistojnë zhargonet, fyerjet edhe ndaj atyre që janë treguar mos mirënjohës. Ai ka drejtuar shumë spektakle, por spektakli më i rëndësishëm, më emocionues për të mbetet ai që drejtoi në ditën e fëmijëve jetimë. Ai ka vetëm një peng, që i është larguar shumë librit, për vetë intensitetin e punës dhe vështirësitë e jetës.

Ditët e fundit ishit si moderator në spektaklin që u organizua nga Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, si u ndjetë në këtë pozicion?

Të them të vërtetë unë kam prezantuar shumë koncerte të ndryshme, me pjesëmarrje shumë më të madhe, por ky koncert mu duk i veçantë. Vetëm kur më thanë që zhvillohej në kuadër të ditës së fëmijëve jetim pra të 20 Majit, vetja mu duk më I obliguar. Unë kam moderuar Festivalin e Pranverës (dy Festivale), Koncertin e Këngës Popullore, shumë koncerte me orkestrën e RTSH-së, por ky koncert zë një vend të veçantë në jetën time. Me thënë të vërtetën çdo lloj koncerti të emocionon, të jep një këndvështrim tjetër të të parit të kabinetit ku zhvillohet koncerti, sepse sytë e të gjithëve janë mbërthyer mbi ty. Në këtë koncert, kur dola në skenë ndjeva një peshë tjetër, një ndjenjë tjetër përgjegjësie nga emisionet, apo spektaklet. Ishte një emocion keqardhjeje dhe dëshire për ti kënaqur, apo për t’i bërë sa më të lumtur. Pra ishte një ditë ndryshe. Një ditë e përgjegjshme që kërkoi më shumë përkushtim. Kur pashë gjithë ata fëmijë të bukur që rriten pa prindër, në zemër ndjen një therje të pavetëdijshme. Për të mos thënë gati në lotim. Viti 2010 dhe ende fëmijët jetimë rriten në numër.

Në sallë ishin dhe shumë personalitet si Presidenti Topi, ambasadori i SHBA, Widhers, etj. Kjo jua shtoi më shumë emocionet?

Jo. E thashë. Përpara politikanëve kam prezantuar shumë koncerte, por ishte vetë prania e jetimëve të veshur me të njëjtën uniformë, ishte qenësia e tyre, pafajësia e tyre, dëshira e tyre për të kaluar një ditë ndryshe që më bënë që të ndihem më i emocionuar. Falënderoj z. Cumani që arriti të realizojë një koncert të tillë bamirësie për këtë kategori fëmijësh. Por ishte dhe prania e nënë Evanthi Cikos si Drejtore e Shtëpisë së Fëmijës në sistemin komunist që më emocionoi. Ishte një ditë që se kisha provuar asnjëherë, midis trishtimit dhe gëzimit.

Kur ju propozuan drejtimin e këtij koncerti hezituat?

Aspak. Këtë e them sinqerisht. E them me zemër. E bëra plot dëshirë, me kënaqësinë më të madhe. Doja dhe unë që në këtë ditë të jepja një kontribut sado të vogël. Mbetet një kujtim i bukur, në një ditë të veçantë…

Tashmë një ndër folësit kryesorë të Top Chanel. Si erdhi Arbeni deri në këtë ekran gjigand të medias vizive shqiptare? Në cilat media vizive shkeli më parë Arbeni?

(Qesh). Nuk e kam filluar në media rrugën e bukur të artit. Unë e kam filluar artin në Estradën e Ushtarit. Në sistemin komunist ishte një nga estradat më me emër, që lëvizte skaj më skaj Shqipërisë. Pra isha aktor…në atë estradë ishin promovuar aktor të kalibrit si Koço Devole, Roland Trebicka, Cekja, Aleko Prodani, Zef Deda, këngëtarët Tonin Tërshana, Arta Babaramo etj…

Dhe si kaluat në ish-gjigantin e medias foniko-vizive shqiptare, pra në RTSH?

Eh… RTSH-ja për shumë vetë në sistemin ishte si nja tabu. Ishte si një ëndërr e largët. Çdo mbrëmje kur kalonim me shokët pranë kësaj rruge të bukur dhe shihja godinën e RTSH-së, ndjeja një emocion. Më dukej sa madhështore po aq e largët. Si një ëndërr planetare. Sa vezulluese po aq dhe e ndaluar për mua dhe shokët e mi. Ishte rruga më e bukur për rininë e asaj kohe. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë kur shihja këtë godinë. Mendja ku s’më shkonte. E mendoja me njerëz të veçantë, shumë të ditur, me njerëz që ishin të shkëlqyer në mësime, e artistë profesionistë të klasit. Ata që do hynin aty i mendoja se kalonin në vrimë të gjilpërës.

Si e prekët këtë ëndërr?

Prekja e parë që s’lidhej me këto mendime, ka të bëjë me fëmijërinë. Kur isha 6 vjeç isha ftuar në radio Tirana, ku kam recituar një vjershë, për partinë më duket. Atëherë isha ende në kopsht. Por e kam prekur ashtu si e kam ëndërruar kur kam qenë 20 vjeç. U ftova për të realizuar një film me regjisor Jani Pane. Ishte një film televiziv “Edhe ne luftuam””. interesant për kohën që fliste për luftën nacional-çlirimtare. Ishin aktorët Gjergj Xhuvani, Drita Haxhiaj, etj…Ishe një film si bashkëpunim i Shtëpisë së Pionierëve me Teatrin Kombëtar. Pas këtij filmi ku unë luajta rolin kryesor i mbajta lidhjet me RTSH.

Si vazhduat t’i mbanit këto lidhje?

Pas filmit, duke dëgjuar zërin tim, filluan të më ftonin për dublim filmash vizatimorë, me kukulla që përktheheshin nga italishtja. Pra unë dhe disa të tjerë dublonim zërat në shqip. Ishin vitet 1980-82.

Kush ju ofroi pozicionin e folësit?

Ishte regjisori i Estradës së Ushtarit, Roland Roshi, ai i cili jepte lajme në Radio Tirana që më ofroi. Ai, duke më dëgjuar kur bënim prova në Estradë më thotë që: Arben ti ke vesh muzike, por ke dhe një zë të bukur, pse nuk paraqitesh për spiker radioje? Jo, i thashë se nuk më ka shkuar ndërmend ndonjëherë. Ai këmbënguli dhe unë dhashë provat para një komisioni të përzgjedhur. Ishin 8 veta në komision. Të gjithë emra mëse të njohur. Ishin vitet 1990. Komisioni e pëlqeu zërin tim ndaj vendosi që të isha folës i jashtëm i lajmeve në Radio Tirana. Se besoja. Isha ende brenda ëndrrës rinore. Në vitin 1992, me mbylljen e Estradës së Ushtarit, unë u emërova në Radio Tirana si folës në organikë.

Kë folës gjetët në Radio Tirana në atë kohë?

Ishin emrat që unë dikur i dëgjoja plot ankth dhe dëshirë. Ishin Viron Noti, Meropi Matllia, Elsa Xhai, Liljana Meçani, Roland Roshi, Arben Kamberi etj…Më dukej si çudi që unë fillova të punoj krahë tyre. Ishte një sadisfaksion, një gëzim i brendshëm. Pra ajo godinë që dikur më dukej e largët, e largët, tashmë u bë pjesë e përditshme e jetës sime. Pra viti 1992, shënoi kohën time si folës profesionist në Radio Tirana, deri në vitin 2004. tashmë kishin filluar dhe televizionet dhe radiot private. Magjia e RTSH sikur ishte zbehur. Nuk shihej më si një godinë magjike që ishte “tabu” ta shkelje.

Kur ka qenë dita më e vështirë në RTSH?

Ishte në vitin 1997. Shqipëria ziente nga një luftë e pa motivuar. Një luftë në emër të absurdit. Kundër kujt luftohej? Përse në bulevard dëgjoheshin krisma armësh në vend të buzëqeshjes së fëmijëve? Më thirrën dhe pse isha pushim. Ishte ora 18-00, kur më thirri përgjegjësja ime që të vija në punë pasi nuk kishte asnjë folëse. Deri atëherë kishte qëndruar Viron Noti. Ishin larguar të gjithë. Duheshin dhënë lajmet. Se si mu kujtua Adem Reka, që u bë fli, e u përball me detin, humbi jetën kur ishte pushim. Dola në qendër. Tirana ishte e heshtur. Tirana ishte si në zi. Këmbë njeriu nuk shihje. Tirana ishte strukur. Vetëm krisma, krisma, pushke, pistolete, automatiku. Hera e parë që Tiranën time e shihja të frikshme. Në bulevard pashë një ambulance, që po transportonte një polic të plagosur. Se di se si kam mbërritur në RTSH. Në ambiente gjeta vetëm 3 veta. Pasi dhashë lajmet në Radio dhe drejtoja emisionet befas, në ora 22—00 më thirri drejtori i Përgjithshëm i TVSH, Bardhyl Pollo, për të dhënë urgjent lajmet në televizion, pasi s’kishin si të vinin folëset. I thashë, si mund të jap lajmet, pa u rruar, pa kollare, pa veshje serioze. Shpejt, sajoi si të mundësh, më tha. Në TVSH, shin 3-4 punonjës. Dikush më dha një këmishë me mëngë të shkurtra, dikush një xhakovento dhe dhashë lajmet. S’di se si kam hyrë në studio. Ishte dita më e vështirë e jetës sime. Tre net kam fjetur në ambientet e RTSH-së.

Pse dhe si u larguat nga TVSH-ja?

Eh. Kurrë nuk dëshiroja. Kurrë. Nga RTSH kanë dalë të gjithë drejtuesit kryesorë të mediave vizive shqiptare. Nga ajo godinë që ndoshta s’ka shkëlqimin e dikurshëm….Eh…! Ishte një ofertë e pronarit të Top Channel, që më bëri të largohem jo me shumë dëshirë. Ika me kokën mbrapa, thjesht për shpërblim më të mirë. Por kurrë s’jam larguar as fizikisht as mendërisht nga ky institucion. Fizikisht se shkoj shpesh aty dhe takoj miqtë, mendërisht, sepse kam kujtime 12 vjeçare që i kujtoj në familje, me miq apo me kolegë. Unë e shkel çdo ditë këtë institucion. Por dhe në Top Channel, ndjehem mirë, Ai tashmë është televizioni më i mirë në hapësirat mbarë shqiptare dhe mendoj se ndihem i respektuar, i realizuar.

Sot ka folës që komentohen si të pa pranueshëm për ekranin. Si mendoni ju, a duhet të ketë shkollë për folës?

Patjetër. Edhe unë shoh që ka zëra të papërgatitur. Vetë, në fillimet e para kisha shumë vështirësi ta interpretoja si duhet lajmin, pasi isha aktor. Por më ndihmuan emrat e mësipërm. Sot, shumë spikerë janë autodidakt. Duhet të ketë një shkollë të veçantë, jo për ta lexuar, por interpretuar lajmin. Më kujtohet një konkurs në Radio Tirana. Ishte viti 1994. Kishim nevojë për folës. Nëpërmjet valëve të radios lajmëronim që të vinin dhe të konkurronin kush mendonte se kishte zë fonik. Erdhën rreth 500 konkurrentë. Në fund fituan vetëm dy. Isha dhe unë në komision. Midis atyre ishte dhe Kozeta Hoxha që sot vazhdon në radio Tirana.

Zëri juaj s’ka ndryshuar. I bëni trajtim të veçantë zërit?

Jo. Aspak. Falënderoj Zotin, që ma ka falë këtë zë. Bile mund të them se abuzoj me zërin. Pi shumë duhan, por ndonjëherë edhe alkool.

A jeni pozicionuar politikisht dhe mendimi juaj për politikën shqiptare?

Politika është jashtë meje. Por si qytetar diskutoj për politikë. Në qytetin Studenti kam qenë ndër të parët që kam kërkuar demokracinë, që kam hedhur firmën në krijimin e PD. E ndjeja se vendi ynë duhej të kishte fat tjetër. Besoja tek demokracia, por kurrë se mendoja se në vitin 2010, Shqipëria do të ishte në këtë gjendje falë një politike të ashpër. Jemi ende në një kaos, kur jemi në zemër të Evropës gjeografikisht, por shumë larg politikisht. Kjo është e pabesueshme.

Çfarë vlerësoni tek njerëzit dhe miqtë?

Sinqeritetin. Sot ka pak sinqeritet. Demokracia shpalosi natyrat e vërteta të njerëzve.

Një rrugëtim i gjatë, aktor, folës radioje, televizion, ka ndonjë peng Arbeni?

Jo. Skam asnjë peng. Kam realizuar shumë nga ëndrrat. Të gjitha me forcat e mia. Jam i kënaqur me arritjet.

Gjithmonë jashtë ekranit ju shohim të veshur sportiv. S’ju pëlqen veshja klasike, serioze?

Jo. Më pëlqen dhe ajo. Por i kombinoj sipas rastit dhe punës. S’dua që të jem gjithmonë standard.

Çfarë vendi zënë në jetën e Arbenit gazeta dhe libri?

Shtypin për vetë profesionin e lexoj, por jo në detaj, aq sa të jem i azhornuar me lajmin. Vitet e fundit i jam borxhli librit. Sot jeta është e zhurmshme, e vrullshme, plot kërkesa që kërkon impenjim. Dikur lexoja shumë…Sot i kam shumë borxhe librit. Ai është i pazëvendësueshëm. Në pushimet e verës më gjen gjithë kohën me libër në dorë.

Vendi që ka zënë sporti tek Arbeni?

Para demokracisë luaja shumë futboll, por jam marrë dhe me atletikë. Sot sikur janë zhdukur fushat e futbollit masiv. Njëkohësisht nuk lija pa parë asnjë ndeshje. Kam qenë tifoz i rregullt. Sidomos derbi Dinao-Partizani s’më largonte kurrë nga stadiumi. Sot nuk shkoj në stadiume, por nga ekrani shikoj të gjitha ndeshjet kryesore. Sporti më lehtëson, më qetëson, më bën më e humor. Shkurt më relakson.

Cilët nga emrat e folësve shqiptarë ruani respekt, simpati dhe që jeni munduar të mësoni?

Përmend së pari Virgjil Kulen, pastaj Kiço Fotiadhin, Tefta Radin, Arben Kamberin, Amalia Dhamo, Roland Roshi, Dhimitër Gjoka.. të cilët ngelin emblema të ekranit shqiptar. Shumica e folësve të TVSH, kanë dalë nga radio Tirana. Ajo godinë ka nxjerrë emra, ku RTSH sot duhet të bëjë një reformë në vetvete, për të nxjerrë sërishmi emra të tillë dhe të marrë shkëlqimin e dikurshëm.

FUND

KOMENTE