English

Grabitet postierja, dy të rinj i vjedhin në rrugë çantën me 1.4 milionë lekë

Gjirokastër, 4 gusht, NOA – Një postiere e Postës në Gjirokastër, është grabitur në mes të rrugës nga dy të rinj të cilët janë larguar me vrap duke i vjedhur çantën ku kishte 1.4 milionë lekë.

Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Gjirokastrës, sipas të cilave, ajo ka ndodhur në rrugën e lagjes “Varosh” të qytetit të gurtë, ndërsa postierja 49-vjeçare e sulmuar, mban inicialet L.K.

Mësohet se ajo arriti të shpëtojë vetëm një çantë tjetër me 1 milion lekë të vjetra, e cila mbeti në rrugë pasi nuk mundën t’ia merrnin dot.

Menjëherë forca të shumta policie kanë bërë rrethimin e zonës si dhe janë ngritur post-blloqe të shumta policie në akset rrugore Gjirokastër-Tepelenë, Gjirokastër-Përmet dhe Gjirokastër-Sarandë.

Ndërkaq, nga veprimet e para hetimore dhe ligjore, si dhe nga dëshmia e punonjëses së Postës është bërë skicimi dhe identifikimi i autorëve të mundshëm e po punohet për kapjen e tyre, por për arsye hetimi, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre.

Mësohet se kjo punonjëse rreth orës 12.00, ka tërhequr nga filiali i postës në Gjirokastër shumën e lartpërmendur për t’ua shpërndarë në banesa pensionistëve dhe ka lëvizur e vetme në këmbë, në kundërshtim me rregullat që duhet të respektonte për transport të lekëve në shuma të mëdha.

Sipas verifikimeve në postë, rezultoi se të gjithë postierët nuk lejohet që të tërheqin më shumë se një milion lekë të vjetra nga arka, ndërsa kjo punonjëse kishte tërhequr 1.5 milion të reja.

n.e/NOA

KOMENTE