English

Basha: Oraret e zgjatura në zyrat e aplikimit, ndihmë për qytetarët

Tiranë, 5 gusht, NOA – Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Deutsche Welle, ka deklaruar se mbajtja hapur e zyrave të aplikimit dhe shpërndarjeve të pasaportave biometrike dhe dokumenteve të identitetit me orare të zgjatura, madje mbajtja hapur e tyre edhe gjatë të shtunave e të dielave, është një lehtësitë që shteti u siguron qytetarëve dhe një mundësi për të përballuar fluksin e rritur të kërkesës për aplikime, edhe për shkak të ardhjes së emigrantëve.

Por, ministri Basha ka garantuar se një tjetër ndihmë për shqiptarët, që duan të pajisen me pasaportë biometrike, është edhe nënshkrimi i marrëveshjes mes MB-së dhe kompanisë koncensionare “Aleat”, që parashikon mundësinë e hapjes së zyrave të aplikimit edhe në vende të tjera të BE-së, ku jetojnë e punojnë shqiptarë.

Sipas Bashës, pajisja e qytetarëve me pasaportë biometrike ishte njëri nga kushtet e BE-së për heqjen e vizave, porn ë këtë intervistë ashtu sikundër edhe në komisionin parlamentar të Sigurisë, Basha ka deklaruar se tashmë Shqipëria i ka përmbushur të tre kushtet e mbetura, ku përfshihen riintegrimit të riatdhesuarve, apo kriteret e tjera që lidhen me forcimin e luftës kunder krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe në identifikimin e aseteve kriminale.

Zoti Ministër, në këto ditë të gushtit ka një fluks të madh aplikantësh në zyrat e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë. Ç’farë masash ka marrë institucioni juaj për të lehtësuar procesin e aplikimeve?

“Për këtë sezon veror, sikundër dhe atë të kaluarin, Ministria e Brendshme ka kërkuar nga kompania koncesionare “Aleat” mbajtjen hapur të zyrave tej orarit zyrtar, po kështu për të punuar ditëve të shtuna e të diela. Siç dhe e kemi bërë të ditur nëpërmjet njoftimeve, që kemi bërë publike, oraret janë zgjatur dhe në qendra të caktuara ku fluksi është i madh do të fillojë operimi duke nisur nga kjo fundjavë edhe të shtunave e të dielave, që shpresojmë se do të ndihmojë në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.

Është folur për një proces të aplikimit për dokumentet e reja të identetitit pranë zyrave konsullore në shtetet ku ka përqendrim të madh të emigrantëve shqiptarë, psh., në Greqi, Itali a gjetkë. Sa e mundshme është kjo, z. Basha?

“Në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare “Aleat” për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe do t’i paraqitet për miratim përfundimtar Parlamentit dhe menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare do të nisë procesi i aplikimit për kartat e pasaportat biometrike pranë këtyre 4 posteve konsullore që përmenda dhe sipas nevojave edhe në poste të tjera konsullore për t’u ardhur në ndihmë më afër qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së”.

Pajisja e shtetasve me dokumentet e reja të identifikimit është ndër kushtet për të përfituar nga procesi i liberalizmit të vizave të qytetarëve shqiptarë. Ju keni deklaruar kohët e fundit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament se tashmë Shqipëria i ka plotësuar edhe tri kushtet e mbetura. Ku jeni bazuar në këto qëndrime?

“Në raportimin tim në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, jam shprehur i bindur se puna e bërë me përkushtim, profesionalitet dhe me fokus të plotë nga të gjitha institucionet e përfshira në procesin e përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, në veçanti të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit ka sjellë rezultate të dukshme, të prekshme dhe të konstatuara qartë nga partnerët tanë, në veçanti nga Komisioni Europian dhe ekspertët e tyre.

Natyrisht janë këta ekspertë dhe Komisioni që do të thonë fjalën e fundit. Unë e bazoj bindjen time në faktin se për të tre kriteret, qoftë ai për riintegrimin e të riatdhesuarve, apo kriteret e tjera që kanë të bëjnë me forcimin e kapaciteteve në luftën kunder krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në identifikimin e aseteve kriminale, vendi ynë ka ndërmarrë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj përpara duke aprovuar kuadrin ligjor të domosdoshëm, që shpesh here është dhe në pararojë të kuadrit ligjor në rajonin e Ballkanit, duke formuluar plane konkrete veprimi, lehtësisht të matshme dhe të mbikqyrshme nga autoritetet sa i takon rezultateve që japin dhe duke i dhënë të gjitha institucioneve, në veçanti Policisë së Shtetit, por dhe të tjerave që kanë përgjegjësi në këtë luftë, instrumentat e nevojshëm financiarë, njerëzorë, materialë, për të plotësuar të gjitha objektivat që dalin si rezultat i miratimit të këtij kuadri ligjor dhe plan veprimeve përkatëse”.

Deutsche Welle
KOMENTE