English

Drashkoviç: Serbia të pranojë realitetin e Kosovës

Beograd, 6 gusht, NOA – Ndërsa Beogradi zyrtar nuk pranon pavarësinë e Kosovës duke vënë në dyshim edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që deklaroi se pavarësia e Kosovës nuk shkel të Drejtën Ndërkombëtare, lideri i Lëvizjes për Rimëkëmbjen e Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se “Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta ndryshojë strategjinë ndaj Kosovës”.

Në një intervistë për gazetën beogradase “Blic” Drashkoviç theksoi se “Beogradi duhet të respektojë realitetin në Kosovë, realitetin e botës në të cilën jetojmë dhe strategjinë shtetërore t'ia përshtasë synimeve reale".

Sipas Drashkoviç tashmë synimi i Beogradit duhet të jetë mbrojtja e serbëve dhe e trashëgimisë fetare në Kosovë, me garanci ndërkombëtare.

Ai nënvizoi sakaq se rezoluta e Serbisë, e paraqitur në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet t'u bëjë thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, që me ndërmjetësimin e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë një dialog konstruktiv për bashkëpunim reciprok dhe për mbrojtjen thelbësore të popullit serb në Kosovë.

Drashkoviç ka këmbëngulur se vetëm mbi këtë përmbajtje, rezoluta serbe do të mbështetej nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Rusia dhe të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit.

Në këtë kontekst, Vuk Drashkoviç i ka bërë thirrje qeverisë dhe parlamentit serb për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, e cila e bën të pamundur ndryshimin e strategjisë serbe.

mit/NOA
KOMENTE