English

PS: Vokshi me korrupsion i dha atij, që nuk e quan burrë, miliona USD nga nafta e shtetit

Tiranë, 6 gusht, NOA – Pas akuzave ndaj ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, Partia Socialiste ka nisur denoncimin e skandalit më të ri të publikuar, atë që implikon në afera korruptive deputeten e Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila nën kompaninë e bashkëshortit ka përfituar të drejtën e pronësisë mbi nxjerrjen e naftës shqiptare për 25 vjet.

Nga selia rozë, deputetja Olta Xhaçka ka publikuar për mediat fakte të reja mbi pasurinë e fshehur të ish-këshilltares ekonomike të Kryeministrit Berisha, deputetes Albana Vokshi.

Xhaçka deklaroi se sipas dokumentacioneve zyrtare “Bashkeshorti i zonjës Vokshi, babai i fëmijës së saj është një nga aksionerët kryesorë të një kompanie të regjistruar në ishujt Kajman, e cila aktualisht vepron në fushën e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në Shqipëri. Siç thuhet edhe në faqen zyrtare të kësaj kompanie, Stream Oil u krijua për të shfrytëzuar rezervat e naftës në Shqipëri, një kompani megjithëse e regjistruar në bursën e Torontos zhvillon aktivitetin e saj vetëm në Shqipëri”.

Sipas PS-së, Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi është një nga dy aksionerët e vetëm me të drejta vendimarrjeje në këtë kompani, ku zotëron 12% të aksioneve apo në vlerë monetare rreth 3 milion e gjysmë dollarë amerikanë, pasuri kjo e padeklaruar prej znj. Vokshi.

“Siç mund të shohim nga formulari i QKR për këtë kompani, Arian Tartari është regjistruar si përfaqësuesi i saj ligjor në Shqipëri, që nga 2 Prilli 2008. Vetëm katër muaj më vonë, me anë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, kompanisë së zotit Tartari i janë dhënë në kontratë konçesionare tre fusha prodhimi nafte dhe një gazi natyror”, theksoi deputetja Xhaçka.

Ajo nënvizoi se sipas kontratës konçesionare, kompania e zonjës Vokshi kishte të drejta financiare mbi 30% të prodhimit ekzistues në 2008 dhe 100% të drejta mbi rritjen e prodhimit që atëherë, duke paguar shtetin shqiptar vetëm 2-6 % taksë mbi këtë fitim.

Sipas Xhaçkës, kjo do të thotë se kompanisë së zonjës Vokshi i janë dhënë dhjetëra miliona dollarë naftë shqiptare me të drejta pronësie për 25 vjet, me taksa qesharake e praktika korruptive.

Duke iu referuar fakteve, deputetja socialiste tha se “pasuria publike e shqiptarëve i është falur burrit të këshilltares së Berishës nga vetë Berisha, dhjetëra miliona dollarë, pa procedura transparente, një kompanie, e cila është krijuar vetëm për të pasuruar zonjën Vokshi, në kohën kur ajo ishte shtatzënë, me atë që thotë se nuk e ka burrë.

Deputetja Olta Xhaçka akuzoi për konflikt interesi në emër të selisë rozë, deputeten e PD-së, Albana Vokshi, e cila vetëm përmes praktikave korruptive i ka dhënë burrit të saj miliona dollarë pasuri publike, pa deklaruar as edhe një qindarkë.

Sipas selisë rozë korrupsioni është fytyra e vërtetë e qeverisë Berisha, e cila zotohet ta luftojë atë, por s’ka bërë tjetër veçse e ka kthyer në normë qeverisjeje.

mit/NOA
KOMENTE