English

Aksident në Tepelenë, një i vdekur

Tepelenë, 8 gusht, NOA – Aksidentet automobilistike vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Një 47 vjeçarë ka humbur jetën sot në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në vendin e quajtur Shtëpëz. Viktima, Përparim Hodo ka qenë duke pushuar, kur një makinë, “Benz Mercedez” e ka goditur atë duke i marrë jetën.

Hodo udhëtonte me autobuzin e linjës Tiranë-Athinë. Autobuzi kishte ndaluar në afërsi të fshatit Shtëpëz për të pushuar në anë të rrugës. Në këto momente Hodo është goditur nga makina që ka qenë me shpejtësi të lartë.

"Përparim Hodo kishte lëvizur me këmbë nga njëri krah i rrugës në tjetrin për nevoja personale dhe kur po kthehej për të hipur në autobuz , ka kaluar rrugën nga krahu i poshtëm në krahun e sipërm ku dhe është përplasur me automjetin e lartpërmendur", thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka arrestuar drejtuesit e mjetit me targa të Tepelenës, TP 3802 B, 29 vjeçarin Dino Dine.

Policia sqaron se pas hetimeve të para dhe dëshmive të të pranishmëve në vendngjarje ka rezultuar se shkaku i përplasjes ka ardhur nga “Pakujdesia e viktimës për të kontrolluar rrugën dhe për pasojë shtetasi Përparim Hodo i ka prerë rrugën drejtuesit të automjetit ku ka gjetur dhe vdekjen e menjëhershme nga përplasja me automjetin ”.

NOA

KOMENTE