English

Spahia: Komisionet e zgjedhjeve të mos jenë më politike

Tiranë, 8 gusht, NOA – Partia Lëvizja e Legalitetit ka kërkua sot nisjen e punës për reformën zgjedhore dhe ka dhënë disa variante se ku mund të ndërhyhet në kod për të realizuar zgjedhje sipas standardeve.

Kryetari i saj Ekrem Spahia u shpreh në një deklaratë për media se jemi në limitet kohore të vendimmarrjes.

“Në kushtet kur po afrohet afati i dekretimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe caktimi i datës së zhvillimit të tyre është deri më datën 8 shtator, partitë politike kanë detyrimin që të fillojnë përgatitjet për Reformën Zgjedhore”, u shpreh Spahia.

Ai ka thekuar se Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime të rëndësishme, të cilat janë evidentuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODHIR.

Spahia ka paraqitur dhe disa prej qëndrimeve që do të mbajë PLL në lidhje me reformën. Ai ka sugjeruar se parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës duhet të zbatohen plotësisht, “në mënyrë që ndaj asnjë subjekti zgjedhor të mos vendosen kufizime të njëanshme në procesin e regjistrimit, financimit të partive dhe kontrollit të votës”.

Nga ana tjetër, Spahia ka theksuar se zgjedhjet duhet të bëhet me komisione jo partiake.

“ “Lëvizja e Legalitetit” mendon se ndërtimi i një administrate zgjedhore jopartiake dhe ndryshimi i mënyrës së numërimit të votave duke përdorur skanimin e fletëve të votimit, do të ishin dy zgjidhje të thjeshta që do të rrisnin dukshëm besimin e elektoratit tek zgjedhjet”, u shpreh Spahia.

NOA

KOMENTE