English

Akuzat e AAK, Thaçi: Qesharake, në sesionin e Ardhshëm të OKB-së, do të kemi lajm të mirë për Kosovën

Prishtinë, 10 gusht, NOA – Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinaj ka akuzuar hapur Qeverinë e Kosovës, se po zhvillon bisedime të fshehta me Qeverinë e Serbisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cilësoi këto aludime si qesharake.

Ishte anëtari i Kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, i cili deklaroi “Kemi informacione të sakta se në këtë kohë po zhvillohen takime dhe bisedime sekrete me Serbinë - takime dhe bisedime, të cilat do t’ia humbin plotësisht kuptimin çfarëdo forme të bisedimeve, që do të ndodhin më tutje”.

Sipas anëtarit të AAk-së, “Çfarëdo bisedimesh që mbahen fshehur, nuk mund të jenë në asnjë variant në të mirë të popullit të Kosovës, qofshin ato teknike, për biznese të ndryshme apo për çfarëdo aranzhimi, që mund të ndodhë, qofshin për veriun e Kosovës, për pjesë të ndryshme, apo tema për të cilat Kosova sot ka interes tepër të madh”.

Por, duke i cilësuar qesharake akuzat e AAK-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i devijoi atyre, duke theksuar se për Kosovën me rëndësi është mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe sesioni i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Fitorja historike e Qeverisë, diplomacisë, institucioneve dhe popullit të Kosovës në GJND, është një fitore që duhet t’i gëzohet secili. Prandaj, është një fitore e gjithë shtetit të Kosovës, e gjithë popullit të Kosovës, e miqve, e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Zoti Thaçi garantoi qytetarët e Kosovës, se “edhe në Asamblenë e Përgjithshme do të kemi një lajm të mirë për Kosovën dhe nuk do të kemi më tutje deklarata qesharake.

AAK-ja ka kundërshtuar edhe kërkesën e përsëritur disa herë nga kryeministri Hashim Thaçi për përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, pasi sipas kësaj partie, kjo kërkesë ka të bëjë me largimin e misioneve ndërkombëtare pa u zgjidhur problemi i veriut.

Sipas AAK-së, përderisa Kosova ka problemin e veriut, prania ndërkombëtare, është e domosdoshme.

mit/NOA
KOMENTE