English

Hetimi i zgjedhjeve, 16 qytetarë paraqesin kërkesë në KQZ

Tiranë, 10 Gusht, NOA – Referendumi për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është paraqitur si rruga e vetme për të zbardhur të vërtetën e këtij procesi zgjedhor, nga 16 qytetarë, të cilët i kanë drejtuar një kërkesë të posaçme Komisionit Qendror të Zgedhjeve.

Në kërkesën e tyre ata i paraqesin KQZ-së opsionin që të organizojë një referendum, ku qytetarët të ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara.

Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t'i përgjigjen me PO ose JO. 1. A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s?

2. A duhet rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile?

3. A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja?

Ndërkaq, grupi i qytetarëve që kanë nisur këtë kërkesë, është në pritje të përgjigjes që duhet t'i japë KQZ-ja, e cila, sipas ligjit, duhet ta bëjë këtë gjë brenda 20 ditësh. n.e/NOA

KOMENTE