English

PS: Qeveria nuk manipulon dot të dhënat, është shtrenjtuar jetesa e qytetarëve

Tiranë, 11 gusht, NOA – Partia Socialiste duke cituar të dhënat zyrtare të publikuara së fundmi për muajin korrik, theksoi sot se jeta e shqiptarëve është shtrenjtuar me dy shifra krahasuar me një vit më parë.

Deputeti i PS-së, Ilir Beqja deklaroi se “sado që të dhënat manipulohen nga Instituti i Statistikave të Sali Berishës, nuk e fshehin dot të vërtetën e shtrenjtimit të jetesës për shqiptarët”.

Të dhënat zyrtare për muajin korrik tregojnë se inflacioni mesatar në 7 muajt e parë është 3,7 %.

Sipas deputetit Beqja, të dhënat raportojnë se disa zëra të rëndësishëm jetese janë shtrenjtuar me dy shifra krahasuar me një vit më parë, sikundër frutat, të cilat janë shtrenjtuar 10 % dhe perimet me 11 %. Janë shtrenjtuar sipas të dhënave zyrtare, sheqeri dhe nënproduktet e tij me 12 %; energjia elektrike është shtrenjtuar 13 %; uji i pijshëm është shtrenjtuar 26 %; shërbimet spitalore janë shtrenjtuar 13 % si dhe shërbimet mjekësore, paramjekësore dhe dentare janë shtrenjtuar 52 %.

Duke ironizuar deklaratat e kryeministrit, deputeti Beqja tha se “kjo ndodh kur kryeministri deklaron se ky është një vit i mrekullueshëm bujqësor”.

Këto të dhëna, sipas deputetit socialist janë prova më e qartë se shqipatarët, që janë në punë apo marrin përfitime sociale jetojnë më keq se një vit më parë.

“Ndërsa për ata 100 mijë, që kanë humbur vendin e punës në 12 muajt e fundit edhe mbijetesa po bëhet e pamundur”, nënvizoi deputeti Beqja.

Partia Socialiste ka shprehur sakaq shqetësimin për shtrenjtimin e afërt të jetesës.

Ai iu referua artikullit bukë, që po shtrenjtohet ditë pas dite, ndërkohë që tregu i grurit dhe miellit kontrollohet nga monopolet e lidhura me qeverinë, konkluzion në të cilin ka arritur prej 1 viti Autoriteti i Konkurrencës.

Në këtë kontekst, deputeti socialist tha se “Qeveria nuk ia ka dhënë ende të punësuarve buxhetorë shtesën e pagës që u premtoi në korrik, ndërsa këta duhet të paguajnë më shumë për bukën e përditshme”.

“Ndërsa pensionistëve, pa kaluar as 5 javë nga vendimet e qeverisë, shtesën qesharake mujore do t’ua “hajë” shtrenjtimi i bukës, i ujit të pijshëm dhe dyfishimi i faturave të telefonit”, sqaroi deputeti i PSË-së.

mit/NOA
KOMENTE