English

Dita Botërore e Rinisë, Xhaferaj: Mbështetja e saj, prioritet i qeverisë

Tiranë, 12 Gusht, NOA - Me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, 12 Gusht, e cila këtë vit mbarti temën “Dialog dhe Mirëkuptim Reciprok”, për të nxitur vlerën e dialogut ndërmjet të rinjve nga kultura te ndryshme si dhe ndërmjet brezave, Ministria e Kulturës organizoi konferencën kombëtare Rinore me titullin “Dialog, Pjesëmarrje, Zhvillim”.

Ministri Ferdinand Xhaferaj pasi shprehu kënaqësinë e tij si ministër i Rinisë, tha se mbështetja e rinisë në të gjitha dimensionet dhe hapësirat e mundshme, është një prioritet i qeverisë.

“Të rinjtë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten në fokus të programeve afatmesme dhe afatgjata të qeverisë shqiptare, - cilësoi Xhaferaj, - kjo duke u fokusuar në arsimimin, edukimin me teknologji dixhitale, punësimin, mbrojtjen e shëndetit dhe plotësimin e shumë kushteve që lidhen me zhvillimin dhe konsoldimin e rinisë”.

Sipas tij, shumë shpejt të rinjtë shqiptarë do të lëvizin në kufijtë e bashkuar të Evropës, pa asnjë kompleks arsimimi apo edukimi nga moshatarët e tyre italianë, francezë, çekë, polakë grekë, sepse ata kanë shënuar rezultate të shkëlqyera në Sorbonë, La Sapienca, Oksford, Charles dhe Standford University, e shumë kolegje të njohura evropiane dhe amerikane.

“Statistikat e punësimit në Shqipëri të të rinjvë që kanë studiuar jashtë na bejne me dije se ky numër është shtuar me afro 40 % në krahasim me 4 vite më parë. Këta të rinj, por edhe me dhjetra bashkëmoshatarë të tyre të diplomuar në universitetett tona publike e private, janë sot ekspertë dhe drejtues dinjitoze të administatës publike dhe institucioneve shqiptare”, tha më tej ai.

n.e/NOA

KOMENTE